TAKIMI I PUNETOREVE TE KEDS ,e zyrtaret e MD-se - 11.12.2018

Punëtorët e KEDS-it kërkojnë ndihmë nga Ministria e Drejtësisë

Punëtorët e larguar nga KEDS të cilët po tentojnë të kthehen në vendet e tyre të punës, kanë paraqitur kërkesat e tyre edhe Ministrisë së Drejtësisë, pasi që menaxhmenti i KEDS-it nuk i pranoi në takim.

Përball punëtorëve doli këshilltari i ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri, Altin Ademi.

Fehmi Pajaziti, kryetar i sindikatës së KEDS-it përsëriti kërkesat e tyre, dhe kërkoi nga MD që të ndërmarr diçka në baza ligjore.

“Punëtorët të cilët kanë qenë të larguar duhet me doemos të kthehen në vendin e tyre të punës brenda 3 ditësh. Kompania KEDS nuk po i respekton vendimet e Gjykatës”, tha ai.

Ndërkaq, këshilltari i MD-së Altin Ademi u tha se do të krijojnë një konsultim brenda mekanizmave të tyre dhe do të marrin përgjigje brenda ditës.

“Nuk e dimë për lëndën e juaj, ne do të shohim bashkë me organet e drejtësisë në rast se do bëjmë drejtë zgjidhjes së kësaj çështje. Ne nuk duam të komentojmë vendimin e Gjykatës, por mendojmë që ky vendim do zbatohet. Ju duhet të na lini dokumentet tuaja dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë dhe përgjigjen do ta merrni brenda ditës. Por, ne nuk mund të konkludojmë se kush ka të drejtë e kush jo. Keni mirëkuptim të plotë në këtë drejtim”, tha Ademi para punëtorëve të KEDS-it të larguar që dy vite nga kjo korporatë.

KALLXO.com ka raportuar edhe live për protestën e punëtorëve të larguar të KEDS-it para objektit të kësaj korporate.

https://kallxo.com/keds-nuk-lejon-kthimin-e-punetoreve-ne-pune-pavaresisht-vendimit-te-gjykates/

Në anën tjetër KEDS ka reaguar përmes një njoftimi për media.

“KEDS njofton se sa i përket protestës së sotme dhe kërkesës së punëtorëve për kthim në punë, KEDS njofton se rasti ende është në proces gjyqësor. Në këto rrethana kompania nuk mund të komentojë pasi nuk dëshiron që në asnjë rrethanë të interferojë në proces”, thuhet në njoftim.