Gjykata në Pejë | Foto: KALLXO.com

Prova të Reja në Gjykimin për Shtëpinë

Faruk Binakaj, avokati i Zyrafete Huskajt paraqiti prova të reja në gjykimin e nisur ndaj ish-bashkëshortit të saj Hasan Huskaj.

Zyrafete Huskaj verën e kaluar e paditi ish-burrin e saj në gjykatë, duke kërkuar që t’i njihet kontributi në ndërtimin e ish-shtëpisë ku jetoi ky çift në Lubeniq të Pejës, para se burrë e grua të ndahen.

Avokati Binakaj solli në Gjykatën e Pejës një dokument nga një gjykatë e Norvegjisë, shtetin ku jetojnë Zyrafete e Hasan Huskaj.

Sipas këtij dokumenti Hasan Huskaj ka kërkuar nga gjykata norvegjeze ndërprerjen e procedurës në Kosovë dhe nisjen  e një gjykimi të ish-bashkëshortes së tij në shtetin skandinav.

Avokati Binakaj tha në Gjykatën Themelore të Pejës se sipas dokumentit të gjykatës norvegjeze, është refuzuar kërkesa e Hasan Huskajt.

“Paditësja ma ka sjellë një dokument me të cilin vërtetohet se në Norvegji të paditurit i është refuzuar kërkesa lidhur me çështjen që këtu ka kërkuar të ndërpritet  procedura  dhe si e tillë të paditurit gjykata e shkallës së parë në Norvegji ia ka refuzuar kërkesën,” tha Binakaj.

Agim Shala, avokati i Hasan Huskajt, tha se kjo provë e Faruk Binakajt nuk do të ndikojë në procesin gjyqësor.

“Kjo shkresë nuk paraqet kurrfarë fakti e as provë relevante lidhur me çështjen kontestimore. Andaj konsideroj se është e tepërt që të deklarohem lidhur me të, ngase e njëjta siç thashë nuk paraqet kurrfarë prove,” tha avokati Shala.

Ndërsa Faruk Binakaj tregoi se dokumentin origjinal të gjykatës nga Norvegjia, Zyrafete Huskaj, e mbrojtura e tij e solli mbrëmë vonë, ndërsa tregoi se ai do t’ia paraqesë këtë dokument gjykatës gjatë ditës.

Avokati Binakaj tregoi që në bazë të këtij dokumenti ka bërë rregullimin dhe precizimin e padisë së Zyrafete Huskajt ndaj ish-burrit të saj, ndërsa në lidhje me këtë precizim Agim Shala, avokati i Hasan Huskajt tha se do të deklarohet në seancën e radhës.

Pas deklarimit të avokatit Binakaj në lidhje me provën e re, seanca u shty për 20 janar, edhe pse ishte paraparë që sot të jepej fjala përfundimtare e këtij gjykimi.

Për këtë gjykim KALLXO.com raportoi edhe gjatë tërë rrjedhës së tij.

http://kallxo.com/ish-bashkeshortja-kerkon-hisen-e-saj/

http://kallxo.com/vajza-del-krah-nenes-ne-gjyqin-per-pronen/

http://kallxo.com/mjeshtrit-deshmojne-ne-gjyqin-per-shtepine-e-huskajve/

KALLXO.com ndoqi edhe raste tjera të kërkimit të së drejtës së pronës, të ngjashme me këtë të Zyrafete Huskajt.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

Berisha kishte paditur kunetërit e saj pasi ishte përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në vitin 1999, në të cilën masakër ajo humbi burrin dhe fëmijët, është duke e kërkuar në gjykatë shtëpinë ku jetoi para se t’i vriteshin më të dashurit.

http://kallxo.com/te-vleresohet-shtepia-ku-jetoi-shyhrete-berisha/