Protesta para spitalit | Foto: KALLXO.com
Protestojnë Punëtorët e Pastrimit të Spitalit në Gjakovë
Punëtorët e pastrimit të spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë protestuan sot para këtij institucioni për vonim të pagave.
Këta punëtorë sipas protestuesve nuk kanë marrë paga që dy muaj, ndërsa tashmë nuk janë në listën e pagave të spitalit, por pjesë e një kompanie që është kontraktuar për pastrim.
Arsyet e protestimit i shpjegoi për KALLXO.com Sebahate Quni që është kryetare e sindikatës së këtyre punëtorëve.
“Na thamë që kemi met pa paga dhe ju kemi drejtu drejtorisë se kta lidhin në mes veti kontrata, na nuk jemi në dijeni hiq. Përgjigjja e drejtorisë është: prit këtë javë, prit atë javë dhe na me kushte tona nuk mujmë me prit ma tepër se fëmijët tonë nuk po durojnë ma. Na po vijmë, po punojmë për çdo ditë, s’kemi rroga s’kemi kurrgjë, na e dojmë edhe ligjin e punës, neve nuk na paguhet trusti, neve nuk na paguhet tatimi, na që 5 vjet jemi të pavarur,” tha Sebahate Quni.
Ahmet Asllani, drejtori i Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë tha se shumë shpejt punëtorëve të pastrimit do t’u paguhen pagat e mbetura borxh.
“Për pagat e mbetura borxh punëtorëve në fjalë të cilët kanë vazhduar mirëmbajtjen dhe pastrimin e spitalit, kemi ndarë buxhetin dhe brenda 3 apo 4 ditëve gjithçka do të rregullohet. Kompanisë për mirëmbajtje dhe pastrim i ka skaduar kontrata, jemi në procedurë e sipër për kontraktimin e kompanisë për mirëmbajtje dhe pastrim,” tha Asllani.
Drejtori i spitalit bëri të ditur se kompania pjesë e së cilës janë këta punëtorë është përgjegjëse për pagesën e kontributeve pensionale.
“Ndërkaq, sa i përket akuzave për mospagesën e trustit pensional, për këtë punë mban përgjegjësi kompania kontraktuese,” tha Asllani.
Shefqet Damka, pronari i kompanisë “SFK” nga Prizreni që deri tash ishte e kontraktuar për punët e pastrimit në Spitalin “Isa Grezda” mohoi se u ka borxh asnjërit prej punëtorëve, ndërsa tregoi se në gusht kësaj kompanie i ka përfunduar kontrata me spitalin e Gjakovës.
Damka pranoi se ka vonesa të pagesës së kontributeve pensionale.
“Ne jemi vonuar në pagesat e trustit pensional si rezultat i vonesave të pagesave nga institucionet prej të cilave kemi kontraktuar punë. Punëtorët e Gjakovës për këtë çështje e kanë njoftuar edhe Inspektoratin e Punës, por ne para 7 muajsh kemi bërë një marrëveshje me ATK-në që për të gjithë punëtorët që i kam në krejt Kosovën jo vetëm në Gjakovë brenda 24 muajve kamë me ju pagu trustin.
Damka tregoi edhe vlerën e kësaj marrëveshjeje.
“Kjo marrëveshje e ka vlerën 60 mijë euro dhe veç një pjesë e tyre tashmë është paguar,” tha Damka.