Promovimi i Leximit në Ditën e Librit

Organizimin për këtë ditë e bëri organizata joqeveritare “Artpolis” që promovon kulturën, artin dhe bashkëjetesën multietnike përmes dialogut social dhe përdorimit të teatrit si një mjet për promovimin e diversitetit dhe ndryshimeve sociale.

Gjatë aktiviteteve të “Artpolisit” sot e nesër do të zhvillohen lexime të hapura në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, punëtori leximi me fëmijët e komuniteteve rome, ashkalinje dhe egjiptiane në Fushë-Kosovë, lexim për fëmijë me shkrimtarët që shkruajnë për ta, ndërsa do të zhvillohet edhe nata e poezisë dhe leximit me artistë, aktivistë të shoqërisë civile e personalitete të ndryshme publike të përcjellur me muzikë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.

Gjatë kësaj dite shtëpitë botuese dhe libraritë e ndryshme kanë ofruar zbritje për shitjen e shumë librave, ndërsa biblioteka Hivzi Sylejmani do të bëjë regjistrimin e të rinjve pa pagesë.