Seanca e sotme në rastin për fajde në gjykatën e Prizrenit. Foto: Kallxo.com

Prokurorja: Tunë Kqira Quhej Padron

Prokurorja Merita Bina- Rugova në gjykimin e 14 personave për krim të organizuar, fajde dhe vepra tjera gjatë paraqitjes së fjalës së saj përfundimtare tha se nga të akuzuarit tjerë Tunë Kqira thirrej me emrin “Padroni”.

“I akuzuari Tunë edhe formalisht e ka mbajtur titullin ‘Padron’ sepse ashtu e kanë quajtur të akuzuarit tjerë- Kastriot Kqira. Natyrisht se ‘Padroni’ ka qëndruar në sfond duke vepruar kryesisht përmes anëtarëve tjerë të grupit kriminal”, tha Merita Bina-Rugova.

Ajo konsideroi se gjatë gjykimit është vertetuar se grupi i drejtuar nga Tunë Kqira kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

“Me provat e administruara në këtë gjykim pa mëdyshje është vërtetuar se të akuzuarit Tunë Kqira, Gjon Kqira, Marjan Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira dhe Gëzim Kqira gjatë periudhës kohore shumëvjeçare kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke kryer  vepra të rënda penale”, tha prokurorja.

Ajo më pas tha se ky grup kriminal ishte stabil dhe mirë i organizuar.

“Stabiliteti i këtij grupi kriminal i cili tashmë vepron qe një periudhë të gjatë kohore, është një prej karateristikave kryesore të krimit të organizuar. Karakteristikë tjetër e krimit të organizuar është edhe ndarja e detyrave brenda grupit”, vijoi fjalën përfundimtare prokurorja.

Ajo deklaroi se në krye të grupit qëndroi Tunë Kqira.

“Në këtë rast në krye të grupit, si person i cili i ka drejtuar dhe mbikëqyrë të gjitha veprimet e grupit, ka qëndruar  i akuzuari Tunë Kqira”, tha prokurorja.

Merita Bina- Rugova më tutje përmendi përgjimet që tha se e nxjerrin Tunë Kqirën shef të grupit.

“Nga transkriptat e përgjimeve vërtetohet se në pajtim me pozitën e bosit, i akuzuari Tunë prej anëtarëve tjerë të grupit vazhdimisht ka kërkuar që të informojnë në lidhje me ngjarjet aktuale dhe njëkohësisht ka dhënë komanda lidhur me mënyrën e veprimit të mëtutjeshëm”, tha prokurorja.

Veprimin si grup të organizuar prokurorja e lidhi me atë që u ndodhi të dëmtuarve Pal e Zef Gruda.

“Pas refuzimit të tyre që të paguajnë edhe 555 mijë euro, në persekutim kundër tyre është kyçur i tërë grupi duke e përcjellë çdo hap të të dëmtuarit Pal Gruda dhe duke i drejtuar kërcënime atij dhe babait të tij”, tha prokurorja.

Ajo duke u bazuar në dëshminë e Pal e Zef Grudës tha se Zef Gruda u kërcënua nga Marjan Kqira.

“Marjan Kqira i është kërcënuar të dëmtuarit Zef Gruda me fjalët: ‘a e vret ti atë, apo ai ty, mua nuk më intereson, por nëse vjen çizmja e policit te unë në fshat, në shtëpinë time, na kena me u vra deri me një’”, tha prokurorja.

Ajo kërkoi nga gjykata dënimin e të akuzuarve dhe konfiskimin e pasurisë së tyre që e konsideroi të fituar me kryerjen e veprave penale.

Arianit Koci, mbrojtës i të dëmtuarve kërkoi nga gjykata që t’i urdhërojë të pandehurit që të dëmtuarve t’ua kompensojnë dëmin dhe /ose t’ua kthejnë sendet.

Në gjykatë u tha se të akuzuarit ua kërkonin të dëmtuarve edhe 765 mijë euro.

“Të dëmtuarit kërkojnë që gjykata pasi të vërtetohet shuma e përgjithshme e dëmit material të shkaktuar, t’i urdhërojë të pandehurit përkatës që solidarisht t’ua kompensojnë të dëmtuarve dëmin material të shkaktuar”, tha Koci.

Sipas avokatit Koci, të dëmtuarit për dëmin shpirtëror të pësuar për shkak të frikës së justifikueshme për jetën, integritetin trupor, shëndetin fizik ose mendor dhe pronën e tyre, do të kërkojnë dëmshpërblim në procedurë civile.

Edhe Koci kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dëmtuarve Pal e Zef Grudës t’ua kompensojnë dëmin e shkaktuar.

Por Bahrie Besimi, avokatja e Gëzim Kqirës tha se prokurorja nuk arriti ta argumentojë fajësinë e të mbrojturit të saj.

“Në rastin  të mbrojturit tim, prokurorja në aktakuzën dhe fjalën e saj përfundimtare, dështon t’i sigurojë provat dhe dëshmitë e nevojshme për aktakuzën e ngritur, e aq më pak të argumentojë akuzën për tri veprat penale te ngritura ndaj të mbrojturit tim”, tha avokatja Besimi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të hënën më 12 shkurt.

Sipas prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.