Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Aksion kundër fajdeve në Prishtinë e Podujevë, ndalohen katër persona

Një aksion kundër fajdeve është duke u realizuar në Prishtinë e Podujevë, në disa shtëpi e lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme.

Deri më tani është njoftuar se janë ndaluar katër persona të dyshuar për kryerje të veprave penale fajdeja, shmangia nga tatimi, detyrimi  dhe organizim i skemave piramidale dhe bixhozi të paligjshëm.

Të dyshuarit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura.

Siç mëson KALLXO.com rasti ka të bëj me arrestime të mëhershme të cilat kanë ndodhur pas një hetimi në muajin mars.

Burimet e KALLXO.com bëjnë me dije se pas hetimeve të vazhdueshme që janë ndërmarrë në lidhje me ketë rast ka dalë se ka persona të tjerë të involvuar si të dyshuar dhe gjatë ditës së sotme të njëjtit janë ndaluar.

Aksioni i sotëm është duke u realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve.

Kujtojmë që më 3 mars 2023, Prokuroria në Ferizaj kishte kërkuar nga Gjykata në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj 15 të pandehurve.

Të pandehurit me inicialet B. S., F. S., E. S., A. S., L. H., Sh. R., R. A., M. A., K. G., S. B., A. M., B. A., B. O., N. A., dhe Sh. H., asokohe gjendeshin nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale fajdeja, shmangia nga tatimi dhe detyrimi.

Në aksionin e kaluar të Prokurorisë, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara ishin gjetur dhe sekuestruar para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.