Gazetarja Saranda Ramaj fiton betejën me Ismet Osmanin – “Curri”

Në gusht të vitit 2019, Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”, kishte deponuar në Gjykatën e Prishtinës padi kundër gazetares Saranda Ramaj dhe grupit KOHA pak muaj pas transmetimit të emisionit “Çka fshihet në aferën e fajdeve” në KTV si dhe pas botimit të shkrimit “Shteti i Fajdeve” në “Koha Ditore” nga gazetarja në fjalë.

Ndërsa sot, Gjykata ka marrë vendim përmes të cilit ka konstatuar se padia është tërhequr nga pala.

Në seancën përgatitore për rastin me objekt kontesti – shpifje dhe fyerje, të mbajtur sot në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën e Prishtinës, ishin prezentë gjyqtarja e vetme gjykuese e rastit, Rezarta Sylejmani Voca, mbrojtësja e palës së paditur – avokatja Gerta Ragipi, por jo edhe Alban Arifi, avokat i paditësit, ndonëse kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata dhe ftesën së bashku me përgjigjen në padi e kishte marrë që nga muaji mars.

Këtë mungesë të paarsyetuar të palës paditëse e ka shfrytëzuar mbrojtja e gazetares Ramaj dhe grupit KOHA me ç’rast konform dispozitës 509 të Ligjit për Procedurën Kontestimore ka kërkuar që padia të vlerësohet e tërhequr.

Kjo kërkesë e avokates Ragipi është aprovuar nga Gjykata.

Ismet Osmani “Curri” kishte ushtruar padi kundër Grupit Koha dhe gazetares Saranda Ramaj pasi, sipas tij, këta dy kishin përhapur në formë permanente shpifje dhe fyerje të pavërteta ndaj tij lidhur me përfshije në fajde, detyrim por edhe afërsi me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Paditësi ishte ankuar po ashtu se Ramaj kishte përdorur raportimet e një mediumi ndërkombëtarë OCCRP, të cilat, sipas tij, raportonin pa bazë, jo saktë dhe pa u mbështetur në fakte.

Padia, e siguruar nga KALLXO.com, thekson se “Curri” dhe familja e tij kishin përjetuar pasoja emocionale dhe psiqike nga këto shpifje, se bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin përballur me vështirësi për të gjetur punë, me humbje të mundësive afariste në të tashmen dhe të ardhmen, stigmatizim nga rrethi dhe pasoja në jetën sociale të paditësit dhe familjes së tij.

KALLXO.com ka kontaktuar avokatin Alban Arifi për të marrë versionin e tij rreth ngjarjes por i njëjti ka bërë të ditur se nuk është më i autorizuar për rastin në fjalë.

Por mbrojtja e Saranda Ramajt dhe Grupit Koha ka mohuar të kenë qenë të informuar për ndryshimet në fjalë.

“Nëse do të ndryshohej i autorizuari (i palës paditëse) gjithsesi se do të informoheshim edhe ne, edhe Gjykata, gjë e cila nuk ka ndodhur” – është shprehur Ragipi.

Vetë gazetarja Ramaj është shprehur se “biznesmeni që tashmë zyrtarisht është i akuzuar për fajde nuk pati guxim të ballafaqohej në gjykim”.

Në procesverbalin e siguruar nga Kallxo.com, Gjykata ka bërë të ditur se do të marrë vendim të veçantë me arsyetim të zgjeruar lidhur me tërheqjen e padisë nga ana e paditësit.