Seanca në rastin 'Pronto'

Prokurorja ia përmend gjykatësit lirimin e Sali Mekajt, ai e ‘kërcënon’ me ndërprerje të fjalës

Një përplasje fjalësh në mes të prokurores dhe gjyqtarit ndodhi sot gjatë seancës në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Drita Hajdari, prokurorja speciale që po e përfaqëson aktakuzën ndaj 11 të akuzuarve, përfshirë ish-deputetë e ministra është përballur me zëra të ndryshëm gjatë leximit të aktakuzës.

Të akuzuarit si Adem Grabovci, Besim Beqaj e të tjerë kanë reaguar në fjalën hyrëse të prokurores duke e akuzuar se po bën ‘fjalime publike’ në vend se lexim të aktakuzës.

Në fjalën e saj hyrëse për ‘Pronto’, prokurorja Hajdari e përmendi edhe një rast tjetër që ajo e kishte përfaqësuar, përkatësisht rastin e akuzës ndaj gjyqtarit Sali Mekaj për veprën ushtrim ndikim.

“Nga kjo aktakuzë janë pesona të lartë shtetërorë të cilët kanë ndikuar në krijimin e një mentaliteti të shëmtuar që ata të mos ndëshkohen dhe që së fundmi faji t’i hidhet prokurorisë që nuk ka ofruar prova të mjaftueshme, pastaj vazhdohet me pasimin e gënjeshtrave që kjo është çështje personale e prokurores e këtë më së miri e tregon rasti i Sali Mekaj dhe Emin Beqirit”, tha Hajdari.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, që kishte qenë gjyqtar edhe në rastin e Sali Mekajt, e paralajmëroi prokuroren që të fokusohet te fjala e saj hyrëse për rastin që po gjykohet.

“Prokurore, prokurore nëse vazhdoni në këtë formë..ne e dimë të gjithë se çka është fjala hyrëse dhe çka duhet të prezantoj prokurori nuk janë në prova dhe nuk mund të vazhdosh kështu, nëse vazhdon në këtë mënyrë atëherë unë më duhet ta shkurtoj fjalën hyrëse ose ta ndërprej”, i tha Hoti.

Ditë më parë Gjykata Supreme  ka gjetur se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u lirua nga akuzat me shkelje ligjore.

Sipas kolegjit të Gjykatës Supreme, kolegët e tyre gjykatës nga Gjykata Themelore, më saktësisht trupi gjykues në krye me Shashivar Hotin dhe dy anëtarët e tjerë Violeta Namani e Beqir Kalludra kanë vepruar gabimisht kur e kanë liruar nga akuza për ushtrim të ndikimit, Sali Mekajn.

Por me aktgjykimin e Gjykatës Supreme është konstatuar se edhe kolegji i gjykatësve të Gjykatës së Apelit në krye me  gjykatësen Mejreme Memaj dhe dy anëtaret Driton Muharremi e Fillim Skoro, me vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë kanë nxjerr përfundime të gabuara.

Ndërkaq në rastin e ‘Pronto-s’, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

https://kallxo.com/adem-grabovci-dhe-te-tjeret-serish-deklarohen-te-pafajshem-ne-rastin-pronto/