Gjykimi i Menderes Sinanit | Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Dënimin e ish-Togerit

Prokurori Drew Engel në fjalën përfundimtare kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e ish-togerit të policisë Menderes Sinani.

Sinani që drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Për Vahid Tahiri të akuzuarin tjetër të këtij procesi për shmangie nga tatimet doganore, prokurori Engel kërkoi dënim të kushtëzuar.

Përveç prokurorit, fjalën përfundimtare e paraqiti sot në gjykatë edhe Bekim Sylejmani, avokat i të dëmtuarit Bidajet Sylejmani që tregoi se do të paraqesë kërkesë pasuroro-juridike.

“Gjykata përveç dënimit penal ndaj kryesve te veprave me te cilën është dëmtuar i mbrojturi im Bidajet, duhet te marrë parasysh edhe kompensimin e të dëmtuarit,” tha avokati.

Duke arsyetuar këtë kërkesë, avokati th ase “familja e Bidajet Sylejmanit si pasojë e rastit të shkaktuar ka pësuar dhimbje shpirtërore dhe trauma dhe për këtë kanë pasur dhe kanë ende trajtim mjekësor”.

Sipas avokatit, kompensimi i dëmit material dhe jomaterial arrin vlerën 118,900 euro.

I dëmtuari Bidajet Sylejmani deklaroi se nuk ka çka t’u shtojë fjalëve të avokatit të tij, ndërsa mbështeti atë që thanë prokurori dhe avokati.

Aziz Rexha, avokati i Menderes Sinanit tha se sot nuk mund ta japë fjalën përfundimtare, pasi ende nuk e ka përgatitur. Edhe Admir Salihu që në këtë proces mbron Vahid Tahirin, tha se fjalën përfundimtare do ta paraqesë në seancën e radhës.

Gjykimi i Sinanit dhe Tahirit do të vazhdojë më 26 shtator.

KALLXO.com vazhdimisht e ka ndjekur këtë proces gjyqësor.