Procesi i Testit, Dështim i Radhës i MASHT-it

Tallje e pashembullt dhe e padurueshme e MASHT-it me publikun e ka cilësuar Nisma për Kosovën publikimin dje të një incizimi ku shihet një vajzë duke qarë pasi ishte përjashtuar nga testi i maturës pasi është zënë duke kopjuar.

“Njoftimet e djeshme të mediave nga tereni thonë se kopjimi nuk ishte sporadik por i përhapur në masë bukur të madhe. Kur lexon këto njoftime del se i tërë procesi është një dështim i rradhës i sistemit të arsimit në tërësi dhe një mashtrim i madh i Ministrisë së Arsimit në veçanti, të cilin në vend se ajo ta pranojë si të tillë, po përpiqet ta fsheh duke iu bërë linçim publik atyre që i ka kapur duke kopjuar”, citon një komunikatë e kësaj partie opozitare të ketë thënë sekretari i saj, Bilall Sherifi.

“Për mendimin tim, jo vetëm që nuk janë mashtrues por janë viktima të sistemit të ngritur nga mashtruesit e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit. Madje, jo vetëm nga kjo e tashmja por nga të gjitha Ministritë e Arsimit të të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës”, ka thënë Sherifi.

“Duke i kapur disa “mashtrues” të vegjël nëpër shkollat e vendit, Ministria e Arsimit nuk do të mund ta fsheh mashtrimin e Madh që po mundohet t’ia bëjë tërë shoqërisë, me pretendimet se gjoja ky sistem i testimeve e bën vlerësimin objektiv të njohurive të nxënësve”, thuhet në komunikatë, në të cilën bëhet thirrje që të fillohet angazhimi për “ta shëruar sistemin e ngritur nga ministria që infekton nxënësit dhe tërë procesin e edukimit”.

Bilall Sherifi ka aluduar në raportimin e KALLXO.com, i cili tregonte se si një nxënëse në një shkollë të Gjilanit është larguar nga testi i maturës pasi është zënë duke kopjuar.

Kur administruesit e kanë larguar atë nga klasa, ajo është ulur në gjunjë në derë të klasës dhe ia ka plasur vajit.

Monitoruesi i KALLXO.com e ka xhiruar këtë ngjarje.

http://kallxo.com/nxenesja-vajton-largimin-nga-testi/

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërkaq, e ka cilësuar pjesën e dytë të testit të maturës më të suksesshme se të parën.