Ilustrim

Mbahet provimi i maturës në Kosovë, Nagavci u uron suksese maturantëve

Testimi i cili do të mbahen në 178 qendra pritet të nisë nga ora 10:00. Ndërkaq, nga MASHTI kanë njoftuar se të gjitha përgatitjet për organizmin e këtij provimi janë realizuar

E shtuna e 24 qershorit është dita kur nxënësit e shkollave të mesme do t’i nënshtrohen provimit të matures shtetërore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci u ka uruar suksese nxënësve të cilët do tu nënshtrohen provimit të matures shtetërore.

Me anë të një postimi në Facebook, Nagavci ka deklaruar se pret që rregullat të respektohen.

“Të dashur maturantë, ju uroj shumë suksese sot, në provimin e maturës shtetërore në të cilin do tregoni aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, të cilat i keni përvetësuar gjatë dymbëdhjetë viteve të shkollimit.  Që të kemi rezultate reale, respektimi i rregullave është i domosdoshëm andaj pres përgjegjësi të plotë nga të gjithë. Në qetësi e besim, ju inkurajoj që të jepni më të mirën nga vetja. Nga ana jonë do të keni gjithmonë mbështetje të pakursyer. Suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!’, ka deklaruar ajo.

Testimi pritet të nisë nga ora 10:00. Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) tashmë ka njoftuar se të gjitha përgatitjet për organizmin e këtij provimi janë realizuar.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim.

Mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit është e ndaluar.

Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit përpos administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik./Dukagjini