Telefonat e nxënësve gjatë Testit të Maturës – Foto: KALLXO.com

Nxënësit krijojnë grupe online për shpërndarjen e testit të maturës

Sot është duke u mbajtur afati i dytë i provimit të maturës shtetërore, për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, por edhe kwsaj radhe, njwjtw si nw testet e kaluara, vihet re dukuria e kopjimit nga ana e nxwnwsve.

Në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është thënë se bazuar në Ligjin e Maturës dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, mbajtja e telefonit është e ndaluar.

“Ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi” – u tha në njoftimin e MASHT.

Mirëpo, një gjë e tillë dyshohet se nuk është duke u zbatuar.

Në një grup në Viber janë mbledhur më shumë se 130 persona ku janë duke u dërguar fotografi të testit.

Në fotografitë e siguruara nga KALLXO.com, shihet se fotografitë janë duke u dërguar me qëllim që të merret ndihmë nga jashtë për plotësimin e testit.

MASHT  ka njoftuar se testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.

Sipas njoftimit të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi janë bërë në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat.

“Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë”, thuhet në njoftim.

MAShTI, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.