Diskutimi për raportin e AGK-së | Foto: Zyra e Kryeministrit

Problemet e Gazetarëve të Injoruara nga Institucionet

Raporti i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i financuar nga Bashkimi Evropian mbi gjendjen e sigurisë dhe lirisë së gazetarëve në Kosovë, u diskutua nga gazetarët dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe institucioneve tjera.

Kryetari i AGK-së , Shkëlqim Hysenaj vlerësoi se rekomandimet e dala nga ky raport kryesisht u drejtohen organeve të drejtësisë, megjithëse përfaqësuesit e tyre munguan në tryezë.

“Viti i kaluar nuk ka qenë i mirë për të ushtruar profesionin e gazetarit , ka pasur sulme, kërcënime që shumë rrallë kanë rezultuar me identifikimin e autorëve dhe dënimin e tyre”, tha Hysenaj.

Prezent në këtë takim ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili megjithëse u zotua për hapje të institucioneve ndaj gazetarëve, edhe i thumboi ata në këtë takim.

“Do të punojmë për kthimin sa më të shpejtë të përgjigjeve për gazetarët. Jemi të vetëdijshëm që edhe ne edhe ju mund të jeni ballafaquar me lajme që nuk janë të bazuara që përdorin privatësinë, familjet dhe fatkeqësitë për të bërë lajm”, tha Mustafa.

Pas fjalimit të tij, Kryeministri u largua nga diskutimi dhe për këtë shprehën pakënaqësi gazetarë të tjerë panelistë.

Kreshnik Gashi , nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” kritikoi mungesën e përfaqësuesve të organeve të drejtësisë në panel si dhe fjalimin formal të Kryeministrit.

“Shumë prej atyre që u thanë nga Kryeministri janë të kontestueshme.  Ai në fjalimin e tij na dha edhe mesazhe në thonjëza për privatësinë e familjen, por nëse ai ka dyshime konkrete pse nuk i ka dërguar ato në prokurori. Kjo tregon se Kryeministri po na flet në ajër dhe nuk beson as vetë në institucionet e drejtësisë”, tha Gashi.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari vlerësoi se ka pasur cenime të integritetit të gazetarëve dhe foli për problematikën e qasjes në dokumente publike.

“Liria e shprehjes është njëri prej bazamenteve të ndërtimit të shoqërive demokratike dhe pikërisht përmes saj maten vlerat demokratike të një shoqërie. Unë dëshiroj shumë që udhëzuesi, i cili trajton në mënyrë të detajuar këtë temë, që është i miratuar nga ministrat e Këshillit të Evropës të hyjë në përdorim edhe në Kosovë”, tha ai.

Vitin e kaluar në një raport të disa organizatave u konstatua se liria e medieve në Kosovë rrezikohet në çdo anë.

http://kallxo.com/liria-e-medias-e-rrezikuar-nga-cdo-ane/

Në një konferencë të BIRN-it të organizuar në vitin 2015 u konstatua se liria e medieve në Ballkan po përkeqësohet.

http://kallxo.com/konferenca-e-birn-liria-e-medias-perjeton-regres-ne-ballkan/