Foto: Atdhe Mulla

Prizren, Zyra e Qendrës Historike ndan pozitën e opozitën

Kryesuesi i Asamblesë Komunale Prizren Artan Abrashi të martën kryesoi mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa e cila i paraprin mbledhjes së rregullt të Asamblesë Komunale të Prizrenit të caktuar për të enjten.

Në këtë mbledhje u diskutua dhe u votua se për cilat pika të rendit të ditës do të diskutohet në mbledhjen e Asamblesë Komunale Prizren.

Përplasje dhe debate kishte kur u diskutua për Propozim – Vendimin për themelimin e Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit, për të cilën nga 7 anëtarët e komisionit, 3 anëtarët e PDK-së, Getoar Besimi, Dafina Bllaca dhe Simir Krasniqi, votuan kundër.

Por kjo pikë do të diskutohet në Asamblenë Komunale pasi që 4 votat pro të Artan Abrashit, Dafina Alishani, Lirije Bytyqi dhe Sencar Karamuço vendosën në favor të kësaj pike.

Getoar Besimi nga PDK tha se hapja e kësaj zyre i krijon ngarkesa buxhetit ngase parashihen të punësohen 3 nënpunës civilë.

“E lëre më çështja e punësimeve pastaj, që është fushë e gjerë dhe krijon probleme tjera”, tha Besimi.

Sipas tij, për më tepër kjo zyre shkakton edhe probleme tjera burokratike për investitorët e mundshëm në atë zone.

Ai shtoi se ky ligj pritet të krijojë ndryshime dhe plotësime, andaj “është e paarsyeshme që në këtë kohë të themelohet një zyre e tillë”.

Artan Abrashi, kryesuesi i Asamblesë Komunale që vjen nga Vetëvendosje, nuk ishte i pajtimit me Besimin.

“Po thu ti tash mos me repsketu ligjin na. Merre lexo ligjin se çka thotë për këtë zyre”, iu kundërpërgjigj Abrashi.

Abrashi shtoi se ligji për Qendrën Historike të Prizrenit është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2012, e që nga ajo kohë nuk është themeluar kjo zyre që parashihet me këtë ligj.

“Kjo zyre do t’i koordinojë punët e organeve vendimmarrëse për Qendrën Historike të Prizrenit”, tha Abrashi duke arsyetuar vendimin për themelimin e saj.

Kjo pikë tash do të diskutohet ditën e enjte në mbledhjen e radhës së Asamblesë Komunale të Prizrenit, kur fillimisht kuvendarët do të votojnë se a do të diskutohet apo jo. Nëse i merr votat e mjaftueshme atëherë asambleistët e Prizrenit pritet të votojnë pro apo kundër themelimit të kësaj zyre.