Prizren, e shtuna ditë pune për Drejtorinë e Financave

Drejtoria për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit do të punojë edhe ditëve të shtuna deri në fund të vitit.

Kjo për shkak se qytetarët të mund të paguajnë këstin e dytë të Tatimit në Pronë, afati i të cilit do të përfundojë më 31 dhjetor.

“Duke ditur që pagesa e Tatimit në Pronë për këstin e dytë për vitin 2018, do të përfundojë më 31 dhjetor, dhe më pas sipas ligjit të Tatimit në Pronë aplikohet kamata dhe dënimi për të gjithë ata tatimpagues që nuk i kanë kryer obligimet, interesimi i qytetarëve në ditët e fundit të vitit për t’i kryer obligimet e tyre është rritur dukshëm.

Për shkak të këtij fluksi, Drejtoria për Ekonomi dhe Financa ka marrë vendim që deri në fund të vitit të punojë edhe ditëve të shtunë, përkatësisht më 22.12.2018 dhe 29.12.2018, për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve të cilët janë të angazhuar në mesjavë dhe nuk mund t’i kryejnë obligimet e tyre gjatë ditëve të punës”, thuhet në komunikatë.