Prizren: Aktakuzë për mos rrënim të objektit trembëdhjetë katësh pa leje

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, njëri inspektor i ndërtimit e tjetri investitor, të cilët po i akuzon për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare lidhur me veprimet e tyre për mos rrënimin e një objekti trembëdhjetë katesh që pretendohet se ishte pa leje.

Sipas kësaj aktakuze, i akuzuari i parë E.B., në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i ndërtimit komunal në Prizren, e ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar pasi që nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare ekzekutive dhe ka shkelur ligjin për ndërtim duke mos e rrënuar një objekt i cili nuk kishte fare leje ndërtimi, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

“Në atë mënyrë, i akuzuari E.B., nuk ndërmerr asnjë veprim për rrënimin të objektit ndërtimor të ndërtuar në lagjen ,,Jenimahall” nga investitori me pronar F.H., i cili nuk ka pasur leje për trembëdhjetë (13) kate, por i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellur konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje. Kështu, ka mundësuar dobi pasurore trembëdhjetë (13) kate për investitorin me pronar F.H.”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Nën pretendimin se i ka kryer këto veprime, Prokuroria e Prizrenit të pandehurin E.B., e akuzon se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa për të akuzuarin e dytë F.H., Prokuroria pretendon se me datë 03.06.2017 në kohë të pacaktuar, i lartpërmenduri ka hequr ose dëmtuar vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit.

Prokuroria pretendon se pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorisë së inspektorateve, i pandehuri nuk i ka përfillur vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave.

“Në këtë mënyrë i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit. Me këto veprime i akuzuari F.H., ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” nga neni 414 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.