Presidentja Themeloi Komisionin për Demarkacionin

Një amerikan, një gjerman dhe një britanik janë emëruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një komision i cili ka për detyrë që ta vlerësojë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Fletcher Burton, Herbert Wilmes dhe Fred Newton janë anëtarët e komisionit i cili pritet të hedhë dritë mbi një proces kontrovers i cili që nga gushti i vitit të kaluar është bërë një ndër arsyet kryesore të protestave të opozitës brenda dhe jashtë institucioneve të Kosovës.

Zyra e Presidenetes e ka pranuar se komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e Presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Një komunikatë nga Zyra e Presidentes thotë se ekspertët gjatë javëve në vijim do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi.

“Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision”, thuhet në komunikatë.

“Presidentja Jahjaga ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit”, thuhet në komunikatë.