Presidenti Thaçi dekoroi ish-ministrin e Jashtëm kanadez Lloyd Axworthy me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” - Foto: Presidenca e Kosovës

Presidenti Thaçi Dekoron ish-Ministrin e Jashtëm Kanadez

Presidenti Hashim Thaçi ka dekoruar ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Lloyd Axworthy, me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Në një takim të zhvilluar sot, presidenti e njoftoi ish-shefin e diplomacisë kanadeze për të arriturat e përgjithshme të Kosovës.

Thaçi ka falënderuar Kanadanë për përkrahjen në një periudhë të rëndë të saj por edhe në ndërtimin e shtetit.

Më tej, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë si dhe kultivimin e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, presidenti Thaçi e dekoroi ish-ministrin kanadez me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Ndërsa, ish-ministri Axworthy ndër tjera tha se ndihet  i kënaqur për arritjet e Kosovës në fusha të ndryshme.

Lloyd Axworthy ka qenë shef i diplomacisë kanadeze mes viteve 1996-2000, pra në kohën kur Kosova ishte në luftë për çlirimin e saj, luftë që ishte përkrahur edhe nga Pakti NATO, ku bën pjesë edhe Kanada, që kishte bombarduar Serbinë për 78 ditë.