Dështon tenderi, Vushtrria dekorohet në mënyrë vullnetare

Komuna e  Vushtrrisë këtë vit është vonuar në dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Kjo për arsye se kompania fituese e njëkohësisht e vetmja që kishte konkurruar për këtë tender nuk kishte përmbushur kërkesat e komunës.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi drejtoresha e Prokurimit Publik në Vushtrri, Saranda Cakaj.

“Operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e kërkesave saktësisht Vërtetimi Tatimor i lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për Operatorin Ekonomik në fjalë, rezulton me borxhe”, tha Cakaj.

Ajo shtoi se kjo kontratë kishte vlerën e rreth 5 mijë euro dhe pas anulimit të kësaj kontrate mjetet financiare janë kthyer në buxhet të qeverisë.

Cakaj tha se për shkak të kohës së shkurt, ata së bashku me bizneset në këtë komunë kanë filluar dekorimet në mënyrë vullnetare.

“Për shkak se jemi në fund te vitit, dhe nuk kemi kohë për të ritenderuar këtë aktivitet, dekorimi i Sheshit “Hasan Prishtina” dhe disa pjesëve te tjera në qytet është bërë në bashkëpunim vullnetar në mes të Komunës dhe bizneseve”, tha drejtoresha e Prokurimit Publik për KALLXO.com

Cakaj gjithashtu ka thënë së është kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për futjen në listë të zezë kompanisë së kontraktuar.