Foto: KALLXO.com

Fillon dekorimi i Prishtinës për festat e fundvitit (FOTO)

Me 1 nëntor Prishtina ka filluar punimet  e stolisjes së qytetit për festat e fundvitit.

12 mijë euro më pak se vitin e kaluar do shpenzohen sivjet  për dekorimin e kryeqytetit.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me vlerë prej 190 mijë euro me kompaninë private tregtare “Anea”.

Kështu ka njoftuar Zyra për Marrëdhënie me Media e Prishtinës për KALLXO.com.

Bazuar në dokumentin e ofruar nga komuna, 63 mijë e 333 euro janë ndarë për këtë vit për projektin e dekorimit të shesheve në kryeqytet.

“Dekorimi do të bëhet në të gjitha sheshet në qendër të kryeqytetit. Punimet kanë filluar dhe do te jenë gati me kohë për festat e fundvitit” shkruan Kabineti i Kryetarit për KALLXO.com.

Vitin e kaluar ishin ndarë 75 mijë euro për dekorimin e shesheve “Skenderbeu”, “Nënë Tereza”, “Adem Jashari” dhe “Zahir Pajaziti”.

Kompania kontraktuese ishte “Link Media Plus”. Ndërsa buxheti për vitin 2017 ishte 57 mijë e 940 euro me kompaninë “Anea”.