Praktika si Mundësi për të Gjetur Punë

Është nënshkruar sot Marrëveshja e Bashkëpunimit “Trajnim në Punë”, ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Marrëveshja si qëllim do ta ketë trajnimin në punë dhe krijimin e mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj, ku pritet të angazhohen 600 punëkërkues në të gjitha komunat e Kosovës.

Arban Abrashi, ministër i MPMS-së marrëveshjen e konsideroi mundësi të mirë.

“Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata të rinj që të marrin një praktikë në punë, varësisht nga suksesi që ata tregojnë dhe nga investimet e kompanive që këta të mbesin në punë apo të fitojnë dhe kontrata,” tha ministri Abrashi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të mbulojë dy të tretat e kostos së marrëveshjes për trajnimin e praktikantëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se ky aktivitet do të ndikojë në motivimin e të rinjve për punë dhe transferimin e përvojave dhe dijenisë së tyre.

“Pasi që dy e treta e kostos së kësaj marrëveshje mbulohet nga institucionet vendore, kjo është një dëshmi e vërtetë e shpalljes së një lufte të përbashkët të kundërshtarit më të madh që është papunësia në Kosovë. Prandaj, jemi mirënjohës që është bërë një hap i rëndësishëm drejt motivimit dhe krijimit të shpresës për punësim tek të rinjtë dhe të papunët,” tha Gërxhaliu.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se kjo është një mundësi e mirë dhe për bizneset që të marrin praktikantë apo studentë dhe t’u mësojnë atyre shkathtësitë dhe përvojat e tyre në vendin e punës.

“Praktikantëve apo studentëve të rinj të cilëve shpesh u mungon përvoja dhe kanë vështirësi në sigurimin e një vendi të punës, duke e marrë parasysh se shumica e vendeve të punës e kërkojnë një gjë të tillë, kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë që këta të krijojnë një përvojë profesionale në çfarëdo organizate,” theksoi Zeka.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se do të vazhdojnë me aktivitete të tilla në mënyrë që të ndikojnë në zbutjen e papunësisë.

“Ne do të vazhdojmë me aktivitete të tilla në mënyrë që të gjenerojmë më shumë punësim dhe që ky punësim të jetë produktiv në interes të atyre që punësohen dhe në interes të bizneseve të cilat e marrin një pjesë të barrës në këtë proces,” tha Kryeministri Mustafa.