Policia Shkatërron Plantacionin e Drogës

Policia e Kosovës i ka dhënë fund tentativës për të ngritur një plantacion droge në malet e Gjakovës.

Në një rrugëtim prej disa kilometrash në këmbë njësitë e Antidrogës dhe ato të Policisë Kufitare kanë arritur në zonën e fshehur në brezin kufitar me Shqipërinë, ku siç shihet në fotografitë e Policisë ishte tentuar të ndërtohej një plantacion i madh droge.

Bimët ishin mbjellë në tasa të plastikës, të cilët ishin mbuluar me najlon për të shpejtuar rritjen, ndërsa ishte planifikuar që pas mbirjes bimët rimbilleshin në zonën përreth, ku ishte bërë gati edhe sistemi i ujitjes.

Sipas një komunikate të Policisë, gjatë këtij aksioni janë asgjësuar rreth 2 mijë bimë të kanabisit, ndërsa nuk është njoftuar për arrestimin e ndonjë personi të dyshuar.

Nga bima kanabis sativa prodhohet substanca narkotike marihuanë. Llogaritet që një bimë e tillë prodhon rreth gjysmë kilogrami lëndë narkotike, e cila në treg shitet në shuma deri në 800 euro për kilogram.

kanabis