Ilustrim

Policia po punon për t’i sqaruar rrethanat e vrasjes në Pejë

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës tha të hënën në mëngjes se është duke punuar në zbardhjen e rrethanave të vrasjes së mbrëmshme në Pejë ku një 29 vjeçar mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri.

“Më datën 16 shtator 2018 rreth orës 21:20, Policia e Kosovës është njoftuar se në rr. “Qerim Muriqi” në Pejë është një person pa shenja jete”, thuhet në deklaratën e sotme të Policisë në rajonin e Pejës.

“Policia i është përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes dhe me të arritur është hasur në viktimën V. S. (1989) i cili ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës në vend të ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, vazhdon deklarata.

“Policia e Kosovës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e shtetit, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat për kryerjen e veprës penale ‘vrasje ’”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.