Kështu u përpoqën të hënën banorët të pengonin zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës – Foto: Policia

Policia Jep Sqarim rreth Lirimit të Banesave të Uzurpuara

Policia e Kosovës ka sqaruar opinionin publik në lidhje me ngjarjet e sotme në lagjen “Dardania”, ku u larguan disa familje nga banesa, për shkak se sipas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ato kanë qenë të uzurpuara.

“Policia e Kosovës informon dhe jep sqarim për opinionin e gjerë dhe mediat, se sot me datë 19.09.2016, duke u bazuar në shkresën e datës 02.09.2016, dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë tek Policia e Kosovës, ku është kërkuar asistencë në ekzekutimin e lëndës me (nr.E.nr. 81/09) në Dardani-Prishtinë, janë ndërmarrë veprime konkrete operacionale për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e kësaj lënde sipas vendimeve dhe procedurave ligjore”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Tutje në komunikatë thuhet se prezent aty ka qenë edhe gjyqtari kompetent dhe se të gjitha veprimet e Policisë janë marrë në koordinim të plotë me autoritetet respektive.

Policia sqaron se banorët nuk janë pajtuar me lirimin e banesave duke mos përfillur rekomandimet dhe urdhrat e zyrtarëve, me ç’rast edhe kanë hedhur gjësende, si ujë me shishe, kova të ujit, e gurë.

Lirimi i banesave 002
Foto: Policia e Kosovës
Lirimi i banesave 003
Foto: Policia e Kosovës

Një zyrtar policor ka pësuar lëndime nga këto veprime të banorëve kundërshtues.

Po ashtu, në komunikatë njoftohet se dhjetë persona janë dërguar në Polici për intervistim.

“Policia e Kosovës, megjithatë ka arritur ta vëjë situatën nën kontroll duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për ekzekutimin e lëndës nga organet kompetente”, thuhet në komunkatën e Policisë.

KALLXO.com ka shkruar sot gjatë ditës për aksionin e Policisë dhe rezistencën e banorëve të këtyre banesave.

Policia Nxjerr me Forcë Banorët nga Banesat e Uzurpuara