Banorët nuk lejojnë punimet në parking, kryeshefi i ‘Prishtina Parking’ jep detaje të projektit

Banorë të lagjes ‘Bregu i Diellit’ në kryeqytet po kundërshtojnë ridizajnimin e parkingut nga ana e Ndërmarrjes komunale ‘Prishtina Parking’, pasi kjo e fundit, sipas tyre, nuk ka bërë fillimisht diskutim me ta si rezident.

Ka tre ditë që makineritë e rënda që ishin dërguar për nisje të punimeve kanë mbetur të ndalura pasi kjo është kundërshtuar përmes protestës së banorëve, te cilët këto punime po i konsiderojnë pa leje.

Kryeshefi i ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli në disa përgjigje për KALLXO.com është shprehur se projekti për ndërhyrje në atë parking është bërë bazuar në raportimet e banorëve me problemet që kanë aty.

“Kemi identifikuar por edhe janë raportuar nga banorët probleme në organizim të trafikut, bllokim të ujëmbledhësve si dhe kanalizimit, uzurpim të trotuarit nga makinat (parkime ilegale), bllokime të çasjes nga makinat në hyrje të ndërtesave, si dhe mungesë të trajtimit të ishujve (zonave të gjelbra) përbrenda parkimit”- është shprehur Havolli.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e banorëve janë përmbledhur në këtë projekt i cili do implementohet brenda 24 ditëve.

“Këto kërkesa/probleme janë ngritur vazhdimisht nga shumica dërmuese e banorëve të lagjes edhe përgjatë vizitave të tyre në zyret e ndërmarrjes edhe përgjate procesit të pajisjes së tyre me kartela të rezidentëve në ndërmarrje. Të gjitha këto probleme janë identifikuar dhe janë përmbledhur në një projekt, të cilin së bashku me Drejtorinë e Investimeve Kapitale si dhe Ndërmarrjen Publike Banesore do t’a implementojmë përgjatë 24 ditëve”- shtoi tutje ai.

Projekti per ridizajnim te parkingut ne lagjen ‘Bregu i Diellit’

Banorët e kësaj zone ka kohë që raportojnë probleme me hapësirën e parkingut e cila mbushet me makina të personave që kanë biznese aty, si dhe për shkak se është afër shkolla ‘Ismail Qemali’, aty parkohen staf i shkollës si dhe prindërit që sjellin dhe marrin fëmijët nga shkolla.

Për të parandaluar këtë, banorët kanë kërkuar që ay të vendoset një laurë/rampë, por nuk ende diçka të tillë.

Derisa, lidhur me deklarimin e banorëve se ndërmarrja po kryen këtë ndërhyrje në parking pa leje dhe pa pëlqim nga komuna, Sokol Havolli u shpreh se procesi po kryhet me pëlqim të drejtorive komunale.

“Ky proces i punës realizohet konform pëlqimit për intervenime emergjente të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për Drejtorinë e Investimeve Kapitale”- u shpreh ai.

Havolli tutje është shprehur se projekti parasheh planifikimin adekuat për mbrojtje të lëvizjës së lirë dhe trotuarit, gjelbrimit si dhe hyrjeve të ndërtesave, hapësirat ekzistuese të parkingut, duke i ri-aranzhuar disa segmente të cilat e rrisin numrin e vendparkimeve.

Derisa, banorët nuk janë kundër rregullimit të parkingut por, kundërshtojnë që aty të kryhen punime pa ndonjë dakordim paraprak me ta dhe vetëm me anë të një njoftimi 24 orë më herët.

Ndërmarrja ‘Prishtina Parking’ të hënën ka lëshuar njoftim për banorët e zonës që nga data 25 prill do nis puna në ridizajnim dhe rigjenerim në atë zone.