Britani, mes kundërshtimesh nga banorët nis prerja e një lisi 600-vjeçar

Ka nisur puna për prerjen e një lisi 600-vjeçar në Peterborough të Britanisë së Madhe, pasi aktivistët e humbën betejën për ta shpëtuar.

Këshilli i Qytetit të Peterborough po e pret pemën në Ringwood, Bretton, sepse po shkakton “dëm strukturor” në shtëpitë aty pranë.

Aktivistët u përpoqën ta shpëtonin pemën ndërkohë që dy burra u ngjitën në të për të mos lejuar që ajo të rrëzohej.

Banori i Bretonit, Dennis Ledbury, tha se vendimi për të rrëzuar lisin e lashtë ishte “një vendim shokues”.

“Është një turp i madh sepse nuk jam 100% i sigurt, duke ditur nëntokën që kemi këtu përreth, që kjo pemë ka shkaktuar në fakt dëmin që ata po pretendojnë [këshilli],” tha ai.

Aktivistët thanë se pema – e cila shfaqet në Regjistrin e Pemëve të Lashtë të Woodland Trust – është një nga lisat e fundit në këmbë nga Grimeshaw Woods origjinal dhe daton nga shekulli i 14-të.

Kishte një prani policie dhe rreth tij ishin vendosur porta për ta parandaluar njerëzit ta ndalonin punën e prerjes, mirëpo dy burra ishin ngjitur në pemë.

Ata zbritën me këshillën e zyrtarëve të policisë dhe sapo e bënë një gjë të tillë , rinisi puna për prerjen e pemës, tha zoti Ledbury.

“Shumica e protestuesve kanë ikur; disa prej tyre ishin në lot sepse po shikonin teksa kjo pemë po coptohej,” tha ai.

“Gjashtëqind vjet është dashur të rritet dhe unë kam qenë këtu për një orë dhe ata tashmë e kanë shkatërruar gjysmën e saj.

“Është e trishtueshme të shohësh… Me të vërtetë nuk mendoj se vendimi për ta prerë këtë pemë ishte i duhuri.”

Aktivistët ishin përpjekur ta shpëtonin pemën duke i shërbyer këshillit me një urdhër dhe çështja u dëgjua në Gjykatën e Qarkut Peterborough të martën.

Por çështja u hodh poshtë nga Zëvendës Gjykatësi i Qarkut Slaney, i cili tha se ishte jashtë juridiksionit të tij.

Nigel Simons, anëtar i kabinetit konservator të këshillit për mjedisin, tha se prerja e pemës ishte një “vendim i vështirë”.

Ai tha se megjithëse këshilli e kuptonte këndvështrimin e banorëve, “të gjitha opsionet për ta shpëtuar pemën mund t’i kishin kushtuar këshillit qindra mijëra funta në riparime dhe tarifa ligjore” nëse shtëpitë do të prekeshin prej tij.

Këshilli tha se 100 pemë të reja lisi do të mbillen në të gjithë qytetin këtë vjeshtë dhe dimër për ta zbutur ndikimin mjedisor të këtij vendimi./BBC