Ilustrim: Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com

Policia bën apel për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në komunikacion

Referuar shtimit të numrit të aksidenteve me pasoja fatale, veçanërisht dy rasteve të fundit të aksidenteve (vetaksidenteve) tragjike në trafikun rrugor, njëri në rajonin e Ferizajt (08.06.2018) dhe tjetri gjatë natës së mbrëmshme (10.06.2018) në rajonin e Pejës, ku në të dyja rastet kanë humbur jetën gjashtë persona, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti tek drejtuesit e automjeteve që të rrisin nivelin e vetëdijes, të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën e tyre gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, sepse me veprimet e tyre, jo vetëm që po rrezikojnë jetët e tyre por edhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafikun rrugor.

Duke parë që të dyja rastet e lartë përmendura janë vetaksidente, kërkohet nga drejtuesit e automjeteve në veçanti që për të evituar rastet e tilla, të respektojnë dispozitat ligjore, sinjalistikën rrugore, t’i përshtaten kushteve të rrugës, të mos drejtojnë automjetet derisa janë në ndikim të lodhjes, gjumit apo nën ndikim të alkoolit, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë ngasjes si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik dhe pasiguri gjatë drejtimit të automjetit.

Humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për Policinë, por edhe për institucionet e tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, thuhet në apelin e Policisë.

Njësitet policore vazhdojnë të monitorojnë dhe të menaxhojnë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, masa ndëshkuese ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti këtyre me pasoja fatale, thekson Policia.

Policia e Kosovës përveç detyrave aktive në mbajtjen rendit dhe zbatimin e ligjit, angazhime intensive me zyrtarët e saj ka edhe në menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor dhe në baza ditore shqipton rreth 1.000 tiketa për kundërvajtje në trafik, prapë se prapë situata në trafikun rrugor mbetet shqetësuese dhe kërkon qasje serioze nga të gjithë, si dhe ndërmarrje të veprimeve efektive për vetëdijesim me qëllim të parandalimit të humbjes së jetëve njerëzore.

KALLXO.com raportoi sot për aksidentin tragjik që ka ndodhur sot rreth orës 01:00 në rajonin e Pejës, ku mbetën të vdekur 3 qytetarë dhe një tjetër mbeti i lënduar.

https://kallxo.com/3-te-vdekur-ne-nje-aksident-ne-peje/

Në një njoftim, Policia e Pejës tha se aksidenti i sotëm ndodhi si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë, me ç’rast vetura u përplas për një mur.