Policia arreston 6 protestues që penguan punimet e 'Bechtel & Enka'-s

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë qytetarë të fshatit Nikaj të Kaçanikut, pasi që gjatë protestës në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ kanë penguar punimet e kompanisë “Bechtel & Enka”.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, tha për KALLXO.com se Policia paraprakisht i kishte urdhëruar protestuesit që të mos pengojnë punimet dhe që të largohen, por të njëjtit nuk zbatuar urdhrat.

“Sot rreth orës 10:00, në fshatin  Nikaj të Kaçanikut, në afërsi të autostradës “Arbën Xhaferi”, në shenjë pakënaqësie për mos hapjen e një rruge alternative, kanë protestuar rreth 30 persona – kryesisht banorë të kësaj zone, të cilët kanë penguar punimet e kompanisë “Bechtel & Enka”. Edhe pse policia i ka informuar dhe urdhëruar protestuesit që të mos pengojnë punimet dhe të largohen, të njëjtit nuk i kanë zbatuar urdhëratë. Me këtë rast, policia i ka arrestuar dhe sjellë në stacionin policor 6 persona të cilët nuk i kishin zbatuar urdhrat e ligjshëm”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, lidhur më ketë çështje është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ua ka shqiptuar gjobat mandatore (tiketë) gjashtë personave dhe të njëjtit janë liruar.

Tutje, bëhet e ditur se protestuesit tjerë janë shpërndarë dhe se punimet në autostradë kanë vazhduar pa ndonjë pengesë.

KALLXO.com ka raportuar sot se banorë të fshatit Nikaj të Kaçanikut kanë bllokuar autostradën ‘Arben Xhaferi’ në pjesën kyçe të këtij fshati. Ata po kërkojnë rrugë alternative nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Protesta ka filluar nga ora 10:00 dhe kjo është hera e dytë që për të njëjtën arsye banorët e kësaj zone protestojnë.

Sot një protestues ka dërguar fotografi në redaksinë e KALLXO.com dhe i njëjti ka thënë se ministri Lekaj u kishte premtuar zgjidhje gjatë protestës së parë, nuk ka pasur ndonjë ndryshim.

“Problemi është që prej kur ka filluar ndërtimi i autostradës për Shkup, e ka ndarë fshatin në dy pjesë. Rruga lidhëse që u kanë ajo është mbyllë për shkak të autostradës. Kërkojmë rrugë alternative në këtë fshat”, ka thënë Guri.

Vlen të përmendet se projekti i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ është kritikuar mjaft për vonesat në punime dhe gjoba 53 milionëshe që ju pagua nga buxheti i shtetit kompanisë punëkryese ‘Bechtel-Enka’.