Polici nuk vjen për të dëshmuar, shtyhet seanca e gjykimit për ngacmim e sulm

Në mungesë të dëshmitarit Imran Rrahimaj është shtyrë seanca e sotme ndaj të akuzuarit Besart Shala nga Gjilani, i cili po gjykohet për kryerjen e dy veprave penale: sulm dhe ngacmim ndaj të dëmtuarit Arizon Alidema nga Pozherani i Vitisë.

Imran Rrahimaj, zyrtar policor, nuk u paraqit sot në Gjykatën e Gjilanit.

Edhe pse i ftuar në mënyrë të rregullt,  mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Gjyqtari i vetëm gjykues Agim Ademi, pasi mori propozimet e palëve në procedurë, me aktvendim  konstsatoi shtyrjen e kësaj seance dhe se për këtë dëshmitar do të bëhet ftesë nëpërmjet eprorit të tij, komandantit të stacionit policor në Gjilan, që të sigurohet prania e tij në seancën e radhës.

Sipas shpjegimit të Prokurorisë, Besart Shala nga Gjilani akuzohet për veprën penale të ngacmimit, sepse më 10 qershor 2017 në Gjilan, duke e përcjellë në vazhdimësi për një perudhë kohore prej orës 14:00 deri në ora 17:27, i kishte sjellë frikë të vazhdueshme të dëmtuarit Arizon Alidema në atë mënyrë që në një moment te rrethrrotullimi te qendra tregtare “ETC” në Gjilan, e ka kapur për dore duke i thënë “hajde ti tash me mua”. Me çka i ka shkaktuar frikë dhe e vë në shqetësim të madh emocional.

Ky i pandehur, po ashtu akuzohet edhe për veprën penale të sulmit, sepse, te qendra tregtare “ETC” në Gjilan, e ka sulmuar me një dërrasë duke e goditur në trup të dëmtuarin Arizon Alidema, nga e cila goditje ky ikë dhe del para një veture prej të cilës edhe goditet, por nuk ka guxuar të ndalet nga frika se mos po kapet nga i pandehuri Besart.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 14 nëntor.