Numan Baliq - Foto: Atdhe Mulla

Ish-ministri i Shëndetësisë mohon ta ketë ngacmuar praktikanten e Spitalit të Pejës

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe mjeku i Spitalit të Pejës, Numan Baliq, tha në gjykimin e tij për ngacmim se nuk ndihet fajtor për akuzën që rëndon ndaj tij.

Sipas të pandehurit, e dëmtuara në këtë rast, Selma M., është keqpërdorur nga kundërshtarët e tij politikë.

Në fjalën përfundimtare, Numan Baliq tha se e dëmtuara është keqpërdorur dhe “ka pranuar të jetë pjesëmarrëse e obstruksionit dhe kampanjës së kundërshtarëve të mi politikë, të cilët kanë për qëllim denigrimin tim moral, politik dhe personal”.

Prandaj, nga gjyqtari i Gjykatës së Pejës ai kërkoi të lirohet nga akuza dhe të sjellë aktgjykim lirues.

Pas deklarimit të të akuzuarit, prokurorja Lumturije Hoxha tha se ai po e shfrytëzon Gjykatën për fushatë, “duke i dhënë ngjyra politike rastit”.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare, prokurorja Hoxha tha se përmes provave të prezantuara në Gjykatë është vërtetuar se i akuzuari është penalisht përgjegjës për veprën penale qe i vihet në barrë.

“Pas administrimit të provave në këtë çështje penale dhe provave që janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor, kryesisht dëshmisë se dëshmitares A.K., të dëmtuarës – S.M., dëshmitares- nënës të dëmtuarës E.M., dëshmitareve I.B dhe R.B. u vërtetua se i pandehuri është kryes i veprës penale”, deklaroi ajo.

Sipas aktakuzës, Numan Baliq është përfshirë në përcjellje dhe vëmendje të vazhdueshme me qëllim ngacmimi dhe frikësimi ndaj të dëmtuarës Selma M., ku kjo e fundit kishte filluar praktikën në Spitalin Regjional të Pejës, ku i akuzuari ushtron profesion e doktorit.

Gjyqtari Sejdi Blakaj nuk e ka caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit.