Ilustrim
Policëve të dyshuar për ryshfet i mbetet në fuqi aktakuza
13 zyrtarë policorë të dyshuar për marrje ryshfeti do të vazhdojnë të gjykohen me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
Kështu u vendos nga Gjykata e Apelit që refuzoi ankesën e avokatëve mbrojtës mbi vendimin e Gjykatës Themelore për refuzimin e kërkesave për të hedhur aktakuzën.
„Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me anë të te cilit ishin refuzuar si të pa bazuara kërkesat e trembëdhjetë të pandehurve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave“, thuhet në njoftimin e gjykatës
Sipas aktakuzës së prokurorisë themelore, e cila ka marrë miratimin e shkallës se parë, të pandehurit Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala akuzohen për shkak të veprës penale “Marrja e ryshfetit’.
Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.
Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se kanë përfituar për xhepin e tyre dhe i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe 20 pjesëtarë të Njësisë së Kontrollit të Autostradave të dyshuar për marrje ryshfeti.
20 të tjerë vijnë nga Njësia e Trafikut në Mitrovicën e Veriu, 15 nga Njësia e Trafikut në Mitrovicën e Jugut dhe 4 të tjerë nga Njësia e Trafikut në Prizren.
Sipas një hulumtimi të KALLXO.com, zyrtarët policorë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga ngasësit e ndryshëm në euro dhe dinarë serbë.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga gjykimi i këtyre policëve.
https://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-15-policet-e-akuzuar-per-marrje-ryshfeti/