Deklarohen të Pafajshëm 20 Policët e Akuzuar për Ryshfet

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, 20 zyrtarët policorë, të akuzuar për marrje ryshfeti, u deklaruan të pafajshëm në Gjykatën e Prizrenit.

Më pas, disa nga avokatët mbrojtës deklaruan se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

Avokati Mexhit Syla tha se e kupton vështirësinë e prokurorit për sigurimin e provave për të pandehurit dhe për mbrojtjen, mirëpo pa sigurimin e provave tha se nuk mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

“Mendoj se kishte me qenë mirë që përfaqësuesi i akuzës të na njoftojë për ditën deri kur ne mund të pajisemi me këto prova”, tha avokati Hoxha.

Ndërsa, prokurori Genc Nixha u premtoi avokatëve se gjatë javës së ardhshme do të pajisen me shkresat e lëndës.

Mirëpo, avokati Asdren Hoxha ishte kategorik që të mos vazhdohet me shqyrtim gjyqësor pa sigurimin e të gjitha provave nga ana e prokurorit për shkak se do të bëhej shkelje ligjore.

Në këto rrethana, gjyqtari i çështjes, Artan Sejrani, pas leximit të aktakuzës dhe pas deklarimit të të pandehurve lidhur me pranimin e fajësisë, mori aktvendim me të cilin e konsideroi të papërfunduar shqyrtimin fillestar.

“Shqyrtimi fillestar nuk konsiderohet se është përfunduar dhe shqyrtimi fillestar caktohet për datën 14 korrik”, tha gjykatësi Sejrani.

Prokuroria e Prizrenit në aktakuzë pretendon se policët gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova” kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave, deri në qindra euro, të cilat më pas i kanë ndarë mes vete në mënyrë proporcionale.

Të akuzuarit e këtij rasti janë; Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, gjatë muajit dhjetorit 2016, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”,  si bashkëkryerës duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkojnë dhe pranojnë dhurata nga shkelësit e rregullave të trafikut në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare, duke mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

KALLXO.com kishte raportuar për rastin e arrestimit të 59 zyrtarëve policorë nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

59 Zyrtarë Policorë të Arrestuar

KALLXO.com kishte siguruar kërkesën për paraburgim ndaj policëve, ku përshkruhen veprimet e policëve dhe se si ata nuk zgjidhnin se në cilën valutë i merrnin të hollat.

https://kallxo.com/policet-e-arrestuar-pranonin-ryshfet-ne-dinare-serbe/

22 Qershor 2017 - 16:34

Petrit Kryeziu 22/06/2017 - 16:34
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend