Qendra e qytetit të Beli Manastirit. Foto: Plamen/Wikimedia Commons.

Policët Serbë të Kroacisë Akuzohen për Përdhunim të Grave Rome

OJQ-ja në Serbi Qendra për të Drejtën Humanitare ngriti një padi duke akuzuar policë serbë të Kroacisë për përdhunim gjatë luftës të gjashtë grave rome, njëra prej të cilave ishte shtatzënë dhe tre të tjera ishin të mitura.

Qendra për të Drejtën Humanitare tha të hënën se ka paraqitur një ankesë duke akuzuar disa anëtarë të paidentifikuar të forcës policore të Republikës së vetëshpallur të Krajinës Serbe për përdhunimin e gjashtë grave rome në qytetin kroat të Beli Manastirit në vitin 1993.

Sipas ankesës, gratë u arrestuan pranë një baze paqeruajtësish të OKB-së dhe u çuan në qelinë e rajonit të policisë të Beli Manastirit, ku policët u rruan kokat, i fyen, i ofenduan, i rrahën dhe i përdhunuan.

“Një vajzë e mitur u detyrua të pinte ujë të nxehtë. Për shkak se u përdhunua, gruaja shtatzënë humbi fëmijën e saj, ndërsa një tjetër të miture iu dëmtua daullja e veshit nga të rrahurat e policisë,” tha HLC në një njoftim për shtyp.

Një gjykatë serbe në vitin 2016 shpalli katër policë serbë fajtorë për vrasjen e të paktën pesë civilëve kroatë, si edhe për ndalim të paligjshëm, kanosje, torturim, terrorizim dhe trajtim çnjerëzor të civilëve të tjerë në rajonin e policisë në Beli Manastir nga gushti 1991 deri në fund të atij viti.

Policët Zoran Vuksiç, Slobodan Strigiç, Branko Hrnjak dhe Velimir Bertiç u dënuan me 20, 10, 5 dhe një vit e gjysmë burg.

Përdhunimi i grave në verën e vitit 1993 nuk ishte pjesë e këtyre akuzave dhe nuk dihet nëse ky krim është hetuar apo jo, tha HLC-ja.

Ajo shtoi se vetëm shtatë raste abuzimi seksual gjatë luftërave në ish-Jugosllavi janë dëgjuar nga gjykatat serbe.

“Prandaj HLC i bën thirrje Zyrës së Prokurorit të Krimeve të Luftës që të hetojë akuzat nga padia, të akuzojë personat përgjegjës dhe të kontribuoojë në dhënien fund të heshtjes për krimet e seksit të kryera gjatë konflikteve” tha ajo.

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës duhet të vendosë tani nëse do të ngrejë apo jo akuza bazuar në padinë e paraqitur.