Pllaka e shtëpisë-muze | Foto: Komuna e Gjakovës

Pllaka e Familjes Qerkezi për Ditën e Çlirimit

Në këtë shtëpi në vitin 1999 u vranë të gjithë 11 meshkujt që u gjetën aty. Mes të vrarëve ishin katër djemtë dhe burri i Ferdonije Qerkezit dhe mysafirë të kësaj familjeje.

Nga atëherë Ferdonije Qerkezi e vazhdon jetën e vetme, me kujtimet për më të dashurit.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila që bashkë me Qerkezin përuroi pllakën përkujtimore, tha se shtëpia e familjes Çerkezi është një shtëpi e shenjtë, për faktin se dhimbjen e ka kthyer në forcë për ta krijuar një vend – muze, si dëshmi për vuajtjet që kanë përjetuar banorët e Komunës së Gjakovës.

Në shtëpinë-muze të familjes Qerkezi ka fotografi të burrit dhe djemve të Ferdonijes, gjëra të tyre personale që i lanë pas dhe nëpërmjet kujtimeve të mbetura jepet mënyra e jetës së tyre deri në ditën që u morën nga forcat serbe.

cerkezi2

Kusari-Lila tha se kjo shtëpi-muze do ta na shërbejë që historia të mos na përsëritet.

“Ky është kontributi më i madh që e bëjmë për ata që s’janë më, ruajmë kujtimin për ta dhe tregojmë historinë tonë që në ardhmen kurrë më të mos na përsëritet. Njëkohësisht, ia rikujtojmë vetes obligimet tona për t’u dëshmuar brezave se jo rastësisht ndodhën këto ngjarje në Gjakovë,” tha Kusari-Lila.

Më 14 qershor në Ditën e Çlirimit të Gjakovës, përveç përurimit të pllakës përkujtimore u bënë edhe homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve.

cerkezi