Liderët shtetërorë në Ditën e Çlirimit homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Presidentja Osmani tha se sot shënohet përvjetori i një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e vendit.

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë tonë, ditën kur shteti u çlirua, pas nëj lufte që rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm. Nderuam vizionarët e shtetit tonë, dëshmorët e shtetit, ata që i vunë themelet e forta të shtetit dhe tani këtu nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Kosovë për të ja dhënë vulën e çlirimit të vendit”- tha presidentja.

Osmani theksoi se populli i Kosovës u është mirënjohës miqve që lirinë e bënë realitet.

“Jemi mirënjohës përherë dhe e përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, presidentin Rugova dhe gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele, për komandatin Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së por edhe mirënjohje e përjetshme edhe për miqtë tanë që na ndihmuan që lirinë dhe demokracinë ta kemi realitet që sot e gëzojnë qytetarët”- u shpreh ajo.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë, një datë shumë e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar sepse dita e çlirimit Kosovës koincidoi me ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj Kosovës”- theksoi Konjufca.

“Kjo nuk mund të arrihej pa miqtë ndërkombëtar, pa shtetet që e ndihmuan çlirimin, por kjo ndodhi edhe për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejtë. Në krejt çka po kërkonim si popull dhe qytetar ishte që ta hiqnim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë. Për këtë ditë dhamë edhe shumë, dëshmorët tanë, martirët dhe kishte shumë sakrifica të popullit prandaj ata do të nderohen e kujtohen gjithmonë sepse janë në themelet e lirisë së vendit”- shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se sot përkujtojnë dhe festojnë 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Sot përkujtojmë dhe festojmë 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vend. Bashkë me presidenten dhe kryetarin e Kuvendit, kujtuam dhe bëmë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s”- deklaroi Kurti.

Ai shtoi se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popull, teksa theksoi se “për këtë gjithmonë do u jemi mirënjohës”.

“Përulemi para të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popull, për këtë gjithmonë do u jemi mirënjohës“- u shpreh Kurti.

24-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit e kanë nisur me homazhe.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

E menjëherë pas tij, homazhe u bën edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.