Krerët institucional në Ditën e Çlirimit bëjnë homazhe te varri i Rugovës e i Demaçit

 

24-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit e kanë nisur me homazhe.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

E menjëherë pas tij, homazhe u bën edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Për nder të kësaj dite, krerët shtetëror kanë planifikuar edhe aktivitete të tjera, ata do të vazhdojnë edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, e më pas do të bëjnë homazhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Ditën, sipas agjendës, krerët institucional do ta mbyllin me një organizim të pritjes shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.