Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Themelohet Këshilli Organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Po ashtu ky Këshill është themeluar edhe për shënimin e 10 qershorit, përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur anëtarët që do të përbejnë këtë Këshill Organizativ.

“Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, kryesues, ministri i Mbrojtjes, anëtar, ministrja e Punëve të Jashtme, anëtare, ministrja e Drejtësisë, anëtare, ministri i Brendshëm, anëtar, dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit për anëtar” – tha kryeministri Kurti.

Tutje ai ka thënë se ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe Zyra e Presidentes, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, komandanti i Forcës së Sigurisë, kryetarët e organizatave të dala nga lufta e UCK-së, kryetari i Asociacionit të komunave, përfaqësues të familjes Jashari dhe përfaqësues të organizatave jo qeveritare.

Sipas tij, me kërkesë të kryesuesit të Këshillit Organizativ mund të themelohen 9 grupe pune sipas kërkesave të Këshillit organizativ.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.