Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama: 23 vjet më parë u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës

Me rastin e çlirimit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar së 23 vjet më parë, u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës.

Rama ka shpërndarë dy fotografi të NATO-s gjatë hyrjes në Kosovë më 1999.

“Si sot 23 vjet më parë, me hyrjen forcave të NATO-s u hap një epokë e re për shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar kryeministri shqiptar.

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.