Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Amaneti i atyre që ranë për lirinë na obligon ta ruajmë e ta zhvillojmë Kosovën

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e Ditës së Çlirimit të vendit deklaroi se falë gjakut të dëshmorëve, vendosmërisë e trimërisë së luftëtarëve të UÇK-së, intervenimit të NATO-s, sot jemi pjesë e botës së lirë.

Haradinaj u shpreh se amaneti i atyre që ranë për lirinë që e gëzojmë sot, “na obligon ta ruajmë të plotë e ta zhvillojmë Kosovën”.

“E shenjtë është dita e lirisë së Kosovës. Falë gjakut të Dëshmorëve, vendosmërisë e trimërisë së luftëtarëve të UÇK-së, intervenimit të NATO-s, sot jemi pjesë e botës së lirë! Amaneti i atyre që ranë për lirinë që e gëzojmë sot, na obligon ta ruajmë të plotë e ta zhvillojmë Kosovën! Kosovë, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar lideri i AAK-së në rrjetin social “Facebook”.

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.