Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti - Foto: KALLXO.com

Platforma e Dialogut nesër dorëzohet në Kuvend

Pas konsultimit të fundit me ekipin negociator, bashkëkryesuesit e këtij ekipi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, kanë bërë të ditur se platforma e dialogut Kosovë-Serbi do të dorëzohet nesër në Kuvendin e Kosovës.

Limaj tha se pret nga ana e deputetëve që të bëjnë debat të mirëfilltë dhe të votohet kjo platformë.

“Jemi konsultuar me të gjitha institucionet, me shumë ekspertë, kemi bërë një punë të pandalshme, sot kemi marrë edhe sugjerimet e krerëve të shtetit dhe përfundimisht ne e miratuam me konsensuse me vota unanime platformën që do t’ia paraqesim nesër kryetarit të Kuvendit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të kenë mundësi që përmes debatit të vinë deri tek votimi i saj, e cila do të paraqet qëndrimin zyrtar dhe të vetëm në dialogun Kosovë-Serbi”, tha Limaj.

Ndërsa, Shpend Ahmeti tha se platforma do të dorëzohet nesër në ora 10:00 dhe do të jetë publike.

“Nesër në ora 10:00 do të ju ftojmë edhe ju si media dhe do ta dorëzojmë zyrtarisht tek kryetari i Kuvendit dhe po ashtu pas një takimi që e kemi pasë edhe me krerët institucionalë. Besoj që nesër gjatë ditës do të ju përcillet deputetëve dhe në momentin që e dorëzojmë tek kryetari i Kuvendit mendoj se nuk ka kurrfarë arsye që të mos bëhet publike. Nesër menjëherë pas takimit do ta publikojmë platformën”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se ky dokument është analizuar fjalë për fjalë.

“Sot i kemi pasur konsultimet përfundimtare. Besoni që ka pasur fjali për fjali që janë diskutuar nga disa ditë a të jenë apo të mos jenë, në hyrje thuhet që ky është qëndrimi zyrtar i Kosovës dhe në fakt është i vetmi qëndrim që e ka Kosova karshi dialogut dhe mund të them që është deklarimi i parë formal në këtë dialog”, tha kryetari i PSD-së.

Ndërsa të pyetur nëse do të diskutohet për territorin e Kosovës, Ahmeti tha se Platforma buron nga Kushtetuta, dhe ajo garanton integritetin territorial.