Hykmete Bajrami, LDK, deputete.

Përplasje pozitë-opozitë në Kuvend për importin e veturave të vjetra

Deputetët  e Kuvendit të Kosovës të pozitës dhe opozitës janë përfshirë në diskutimet për  Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se nëse nuk kalon Ligji për Automjete është në dëm të qytetarëve.

“Ky ligj nëse nuk kalon pra është në dëm të qytetarëve, pra ju mundëson atyre të blejnë vetura më të reja sesa ato që i kanë sot. Për interesin e atyre që kanë buxhet të fortë pra është që të mos kalojë ky ligj, interesi i shumicës së deputetëve është të mos kalojë ky ligj, që kanë vetura me kilometra 00 e që kanë xhipa të zi”, u shpreh ajo.

Kurse deputetja e LDK-së, Hykmete Bajram i reagoi koleges së saj, deputetes Teuta Haxhiu.

“Nëse vërtetë dëshirojmë të punojmë për interes të qytetarëve, ejani ta prishim monopolin e homologimit që e kemi qe 20 vjet në Republikën e Kosovës. Ministri i AAK-së e ka bërë një udhëzim administrativ i cili i mundëson kompanisë që ka monopolin në homologim ta ketë në pafundësi. Arsyeja që nuk po votohet ky ligj është për arsye se kemi dyshimet që monopoli për homologim do t;i jepër sërish dikujt. Këtu nuk ka interesa të qytetarëve, por të grupeve”, tha ajo.

Kurse Haxhiu, iu kundërpërgjigj duke e fajësuar LDK-në se sa ka qenë në pushtet nuk e ka ndal këtë monopol.

“Kolegia ime ka qenë ministre, nuk e ka ndal këtë monopol. Nuk e keni bo asni hap. Për një muaj ditë e blen veturën ke pagë në universitet dhe këtu në Kuvend. Mos bëni marketing por kjo është një lojë e ndytë.  Nuk mund të maten qytetarët me pagën e juaj”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, deputetja Bajrami tha se nuk kanë mundur të ndërmarrin veprime për shkak të kontratës për monopolin.

“Kur unë kam qenë në qeveri është kërkuar heqja e monopolit. Ministri Zharku e ka analizu kontratën, ajo skadon tash në prill 2019 nëse nuk gaboj. Nuk kemi mujt sepse është ministri Limaj që e ka dhënë me kontratë. Kontrata qenë e formuluar në atë formë që na kish qu në arbitrazh si rasti i Telekomit”, deklaroi ajo.

Në debat u përfshi edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, i cili tha se Fatmir Limaj ka nënshkruar kontratë sa ka qenë nënkryetar i PDK-së dhe jo si kryetar i Nismës.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkonte nga deputetët të diskutojnë vetëm për amandamentet e projektligjit në fjalë.