Vetëvritet i Burgosuri në Burgun e Dubravës

Maj 24, 2014 – A.K. nga Hajvalia ka mbetur i vdekur sot në mëngjes në burgun e Dubravës pasi është hedhur nga shkallët e palestrës së kësaj qendre. Rasti është konfirmuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi. I burgosuri 28 vjeçar A.K. nga Hajvalia e Prishtinës ka vdekur në burgun e Dubravës. Ai mësohet se ka kërcyer nga shkallët e palestrës sportive e cila ndodhet në pavijonin numër 4 të kësaj qendre.

Drejtori i Shërbimit Korrektues, Shemsi Hajrizi, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se një i burgosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Sipas Hajrizit i burgosuri është hedhur nga shkallët e palestrës së Dubravës.

“Pasi është hedhur ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Pejës ku edhe ka ndërruar jetë”, tha Hajrizi.

Viktima ishte i dënuar me 3 vite e gjashtë muaj burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ishte kuruar në spitalin e Psikiatrisë. Të burgosur të tjerë të kësaj qendre nëpërmjet telefonit i kanë thënë gazetës se i dënuari ka pasur ankesa rreth trajtimit mjekësor.

Drejtori i burgjeve Shemsi Hajrizi ka konfirmuar se ky i burgosur ka qenë më parë i trajtuar ndërsa nuk ka dhënë detaje për shkaqet që e kanë shtyrë të burgosurin të hidhet nga kjo lartësi. Sipas Hajrizit këto shkaqe do zbardhen pas hetimeve që do ti kryejë Policia e Kosovës.