UNICEF-i Porosit Kosovën: Investimi në Fëmijë Trefishohet

Pasi Kosova ka gjysmën e popullsisë nën moshën 24 vjeçare, investimet në fëmijë duhet të rriten.

Gjatë publikimit të raportit të hartuar nga UNICEF-i dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, të titulluar “Investimi në Fëmijë” doli se investimi në këtë shtresë të shoqërisë është shumë i nevojshëm, ngase fëmijët që sot janë dhjetë vjeç do të jenë fuqi punëtore në vitin 2023.

Raporti doli nga një anketë e zhvilluar nga UNICEF-i dhe ASK-ja me 20 mijë persona të moshës nga 15 deri 49 vjeçare. Ajo u nda në dy grupe të veçanta, në njërin grup u përfshi popullata e përgjithshme, ndërsa në tjetrin komunitetet rome, ashkalinje e egjiptase.

Anketa u zhvillua në periudhën nëntor 2013-prill 2014.

Laila Omar Gad, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se me këtë anketë ekonomitë familjare kosovare krahasohen me ato të 170 shteteve të botës.

Omar Gad tha se duhet të investohet më shumë në fëmijët kosovarë.

“Unë mendoj se duhet të investohet në fëmijë. Përderisa Kosova ka një popullsi të re prej 34 për qind nën moshën 18 vjeçare dhe gjysma e popullsisë është nën moshën 24 vjeçare dhe përderisa Kosova vazhdon të ketë rritje ekonomike, është e rëndësishme të ketë investime të rritura veçanërisht në fëmijë. Për shembull, shpenzimet publike në shëndet mbesin ndër më voglat në rajon,” tha Laila Omar Gad.

Ajo sqaroi se hulumtim i i UNICEF-it dhe ASK-së tregon se për çdo dollar të shpenzuar sot në programet e fëmijërisë së hershme, investimi trefishohet në të ardhmen në kuptimin ekonomik dhe social.

Edhe Jan Peter Olters nga Banka Botërore në Kosovë kërkoi të punohet për mirëqenien e të rinjve.

“Fokusi i parë i politikëbërësve të jetë agjenda e të rinjve për zhvillim, sepse të rinjtë janë ata që e kanë Kosovën në duar. A ka një mënyrë më të mirë sesa një edukim më i lartë, andaj të dhënat e krahasuara kanë një vlerë shumë të madh në të cilën duhet të bazohen vendimet për politikat,” tha Olters.

Isa Krasniqi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tha se hulumtimi që agjencia e zhvilloi me UNICEF-in do t’u ndihmojë institucioneve të vendit.

“Anketa do t’i ndihmojë qeverisë të hartojë strategji afatgjata për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje të fëmijëve dhe fushave tjera për të ardhmen,” tha Krasniqi.

Ai tregoi se i kishin mysafirë në zyrat e ASK-së hulumtuesit e UNICEF-it gjatë realizimit të anketës së përbashkët.

Edhe Habit Hajredini nga Zyra e Kryeministrit tha se anketa do ta ndihmojë qeverinë.

“Të dhënat statistikore të nxjerra nga anketa janë shumë të rëndësishme për punën e institucioneve dhe punën tonë,sepse proceset që po vijnë-strategjia e mbrojtjes së fëmijëve janë shumë të rëndësishme, sepse fëmijët janë prioritet i së ardhmes,” tha Hajredini.

Anketa sipas Carian O’Tole, specialist për monitorimin e të drejtave të fëmijëve në UNICEF, ka filluar historia e lindjes, për të vazhduar me shëndetin e nënës dhe fëmijës, qëndrimet ndaj dhunës në familje, martesa, sjelljet seksuale, kënaqësia me jetën, kujdesi ndaj sëmundjeve dhe shumë tema tjera.