U Vazhdohet Paraburgimi të Dyshuarve për Vrasjen e Trefishtë në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera të pandehurve E. Shemallari nga  Prizreni dhe djalit të tij E. Shemallari. Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë  kryer veprat  penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra penale të armëmbajtjes pa leje.

Në aktvendimin për vazhdimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se “vazhdohet paraburgimi edhe për një muaj kundër të pandehurit E. Shemallari, i cili do të mbahet në paraburgim deri më 10.05.2015, ndërsa ndaj E. Shemallarit(djali), paraburgimi do të zgjasë deri më 13.05.2015”.

Të  pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal pasi që më 8 mars rreth orës 14:10 minuta në Prizren në rrugën “Ismet Jashari Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privojnë nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaqi dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

“Pasi që i pandehuri E. i ka vërejtur të ndjerit, me një taksi shkon në shtëpinë e tij e thërret djalin e tij E. Shemallari marrin me vete armët e zjarrit dhe atë një pistoletë dhe një pushkë e gjatë automatike dhe me automjetin e tyre “Golf 2” ngjyrë hiri me targa 04-442-DC të cilën e ka drejtuar E. Shemallari dhe nisen në drejtim të  ndjerëve i takojnë të njëjtit e ndalojnë automjetin e tyre me ç’rast E. del nga automjeti dhe me armë gjysmë automatike të cilën e kishte në dorë, e po njashtu edhe djali i tij E. Sh. i cili mbante në dorë pistoletën fillojnë të shkrepin në drejtim të viktimave duke i qëlluar të njëjtit dhe me të shpejtë largohen nga vendi i ngjarjes me ç’ rast nga plagët e marra Ferdi Shishko mbetet i vdekur në vend derisa dy të tjerët Belgin Ersoj dhe Haki Thaqi nga qytetarët e rastit dërgohen në spitalin rajonal ku konstatohet vdekja e tyre”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit.