Të Humburit në Përkthim

Përkthimi i gabuar i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në një intervistë për Klan Kosova, shkaktoi trazim dhe deklarata emocionale në Serbi. Megjithatë, ai nuk është viktima e parë e as e fundit në historinë e shkruar të përkthimeve problematike të deklaratave të udhëheqësve shtetërorë.

Rama foli për bashkimin kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe për nevojën e një Europe strategjike që do të mundësonte “për të gjitha etnitë në Ballkan që të ketë lehtësi për të qenë së bashku, pa pasur nevojë të merren me kufijtë”.

Përkthimi i këtyre fjalëve në median serbe, përfshiu një fjali sipas së cilës, nëse BE-ja nuk arrin të lejojë të dy vendet të bashkohen në një Evropë pa kufij, ata do të unifikohen në “mënyrën klasike”. Homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë reaguan ashpër ndaj këtij shtrembërimi.

Nganjëherë keqpërkthimet ndodhin edhe brenda së njëjtës gjuhë, për shembull, nga shqip në shqip. Është i famshëm keqkuptimi në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviq në Hagë, në fillim të viteve 2000, kur përkthyes nga Shqipëria duhet të transmetonin fjalët e dëshmitarëve nga Kosova. Mosnjohja e dialektit nga përkthyesit shkaktonte situata të pakëndshme në gjykatë.

Pyetja e Millosheviqit nëse dëshmitari e kishte parë ngjarjen me sytë e tij, shënoi një kalvar përgjigjesh që përktheheshin çuditshëm anglisht në “yes, no” dhe “no, yes”. Kjo ndodhte ngaqë dëshmitari thoshte “po, jo” ose “jo, po”. Çka përkthyesit nuk dinin ishte se ”jo po” në dialektin kosovar nënkupton një formë të pohimit të përforcuar.

Në vitin 1977, gjatë një vizite në Poloni, Presidenti i atëhershëm amerikan Xhimi Karter u ngjit në podium për të mbajtur një fjalim frymëzues për miliona polakë që e ndiqnin. Karter tha se dëshironte të njihej me dëshirat e polakëve për të ardhmen; çka përkthyesi i tij joekspert rus, e transmetoi se Presidenti “i dëshironte polakët”. Presidenti tha se ishte i gëzuar që ndodhej në Poloni, përkthyesi tha se Karter “ishte i lumtur të rrokte pjesët intime të Polonisë”. Kjo ishte konferenca e parë për media e SHBA-ve në një shtet komunist.

Ndërsa ‘erotika’ e pavullnetshme e Karter me popullin polak shkaktoi kryesisht argëtim, keqpërkthime të tjera e kanë shtyrë rrotën e diplomacisë deri në prag… tensionesh bërthamore. Gjatë një fjalimi në ambasadën polake në Moskë, lideri sovjetik Nikita Hrushov, po tregonte sesa i poshtër ishte sistemi kapitalist dhe sa i mirë socializmi. Ishte viti 1956 dhe Lufta e Ftohtë ishte e re, e freskët, plot energji dhe optimizëm ushtarak ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Ndër të tjera, Hrushovi u citua se tha: “Ne do ju varrosim”. Të dyja vendet i ishin përkushtuar sakaq garës së pandalshme të armatimit bërthamor, dhe Bashkimi Sovjetik sapo kishte testuar me sukses bombën me hidrogjen. Tensioni i amerikanëve nga ky citim zgjati për tre vjet, para se sovjetikët të sqaronin se nuk kishin qenë këto fjalët e liderit. Gjatë kësaj kohe gara bërthamore dhe ajo hapësinore u ndez dhe më shumë. Hrushovi kishte thënë në fakt: “Do jemi aty kur të varroseni”, duke folur në kontekst të gremisjes së sistemit kapitalist.

Duke iu përgjigjur deklaratës së përkthyer keq të Ramës, Vuçiq shkroi në Twitter: “Unë i premtoj kryeministrit Rama se Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohen – siç tha ai – në një mënyrë klasike!” Me shumë gjasa edhe Edi Rama do të ishte dakord me homologun e tij, po të hiqej togfjalëshi “siç tha ai”, duke qenë se dhe ai vetë kishte shprehur mospajtimin ndaj ideve për bashkim kufijsh.