Studentët Ndërprenë Protestën Shkaku i Lodhjes

Grupi i studentëve që ishin mbledhur para rektoratit të UP-së që nga orët e paradites kanë ndërprerë protestën dhe janë shpërndarë.

Argjend Softolli, përfaqësues i këtij grupi, tha se lodhja e studentëve duke qëndruar para rektoratit i ka bërë ata që ta marrin këtë vendim.

“Jemi lodhë duke pritur dhe mbledhja e sotme e Këshillit Drejtues dhe Senatit, sipas informacioneve që i kemi, do të zgjasë deri në orën 18”, tha Softolli.

Studentët protestues po kërkojnë që kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/15, në nivelin Bachelor, të jetë me 70% të kredive ose të provimeve; që kriteri i arritjes së kushtit për niveli Master të jetë me 50% të kredive ose provimeve; që të ketë afat të tetorit, ku studentët do të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe i njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues; dhe të kthehen afatet e absolventëve në të gjitha njësitë akademike.

11:55

Përderisa brenda në rektorat, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po diskutojnë për zhvillimet e fundit në UP, një grup studentësh janë duke protestuar jashtë rrethojave të rektoratit.

Argjend Softolli nga këshilli organizativ i protestave, foli për arsyen e protestës dhe mënyrën si po bëhet ajo.

“Kësaj radhe po qëndrojmë jashtë rrethojave në mënyrë qe mos ta pengojmë punën e Senatit dhe Këshillit. Ne po presim realizimin e kërkesave tona, mirëpo kërkesë e jona nuk është shkarkimi i Rektorit”, tha Softolli.