Studentët e Listave të Veteranëve Protestojnë Para Rektoratit (FOTO)

Një grup të rinjsh janë duke protestuar para rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ata po kërkojnë nga rektori i këtij universiteti, Ramadan Zejnullahu, që ta respektojë memorandumin e nënshkruar në vitin 2009 mes UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta për regjistrimin e studentëve të këtyre kategorive.

Të rinjtë, me parullat që kanë në duar, po pretendojnë se i kanë ndjekur ligjëratat gjatë semestrit të parë dhe tani janë “të gatshëm” t’u nënshtrohen provimeve.

Javë më parë, rektori e ka shpallur të pavlefshëm këtë memorandum kontrovers, ndërsa ky akt i tij ka ngjallur reagime nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Në mbështetje të këtyre të rinjve, para rektoratit kanë dalë edhe drejtuesit e këtyre shoqatave, Xhavit Jashari, Smajl Elezaj e Fadil Shurdhaj.

Dy ditë më parë, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, në një deklaratë për KALLXO.com i ka dalë në mbështetje rektorit Zejnullahu në kontestin e tij me këto shoqata.

Pranë ndërtesës së rektoratit janë duke qëndruar një grup i policëve, ndërsa burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se rektori Zejnullahu nuk gjendet në zyrë, për shkak se protestuesit janë mbledhur në oborr të rektoratit para se ai të shkojë në vendin e tij të punës.