Shumë Vërejtje për Projektligjin për Testin e Maturës

Projektligjit për Provimin e Testit të Maturës Shtetërore sot i është dhënë drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar për Arsim pavarësisht shumë vërejtjeve që u dhanë nga anëtarët e tij.

Ky projektligj ka kaluar për lexim të parë në Kuvend, por plotësim- ndryshimet e tij do të diskutohen edhe njëherë nga komisioni si dhe nga vetë Ministri i Arsimit, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë Komision.

Ky projektligj kishte shumë pikëpyetje të cilat u ngritën nga anëtarët e Komisionit, të cilët u shprehën të pakënaqur me përmbajtjen e dokumentit.

Për dallim nga vitet e kaluara, Ministria tani propozon që të hiqet pragu i kalueshmërisë për maturantët, por kjo ka ngjallur dilema për kryetarin e komisionit parlamentar, Nait Hasani.

“Nëse nuk ka prag atëherë pse me u mbajtë provimi i maturës, janë testet e shkollës së mesme, dhe diploma ajo është një vlerësim”, tha Hasani.

Me dilemën se a është projektligji i punuar mirë dhe me propozimet e nevojshme, ishin edhe anëtarët e tjerë të komisionit.

Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së tha se sot vetëm do të përkrahet ky projektligj në mënyrë që të ndahen grupet punuese, dhe të punohet sa më shpejt në të për të arritur afatin e testit të maturës.

Por për Ismajl Kurteshin nga Vetëvendosje, ky test është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të lejohet që të kalohet vetëm shkel e shko.

“Në këtë ligj ka të meta serioze të cilat duhet të evidentohen dhe kur kalon ky nuk ka rendësi se a e kemi pasur ne kohën e kufizuar apo jo, por pësojnë ata që hyjnë në test”, tha Kurteshi.

Njëjtë mendon edhe Shpejtim Bulliqi nga LDK-ja.

“Nëse merret dhe shikohet ky projektligj vërtetë është me lëshime të mëdha, është i punuar dhe  i përgatitur jashtëzakonisht keq, me shumë gabime por megjithatë për hir të kohës, ne duhet ta procedojmë tutje”, tha Bulliqi.

Edhe përkundër këtyre vërejtjeve, ministri Arsim Bajrami, gjatë vizitave nëpër disa shkolla të Kosovës, pati njoftuar nxënësit se pragu i kalueshmërisë së Testit Kombëtar të Maturës do të hiqet.

“Testi i maturës shpeshherë ka sjellë stres dhe brenga te nxënësit, e edhe te familjet e tyre dhe ne do largojmë pragun e kalueshmërisë së testit dhe të gjithë do ta kalojnë, e për regjistrim në fakultet ata do të vlerësohen në bazë të penave që i arrijnë,” pati thënë ministri Bajrami.