Shoqëria të Angazhohet për Heqjen e Fëmijëve Lypsarë nga Rrugët

Në një konferencë të organizuar në Prishtinë u tha se problemi i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë duhet të zgjidhet urgjentisht.

Konferenca u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Policia e Kosovës dhe organizata “Terres des Hommes”.

Kryesuesi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jean Claude Schlumberger tha se numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Kosovës e veçanërisht në Prishtinë është shumë i lartë.

“Duke i detyruar fëmijët të kërkojnë lëmoshë në rrugë është një prej shkeljeve më të mëdha të të drejtave të fëmijëve, është abuzim me fëmijë, shembull janë edhe foshnjat e posalindura të mbajtura në duar të lypësve,” tha ai.

Schlumberger tha më tutje se duhet të veprohet me urgjencë për largimin e fëmijëve-lypsarë nga rrugët, ndërsa bëri thirrje që atyre të mos u jepen para se kështu ndihmohen keqpërdoruesit e tyre.

Ai tha se fëmijët që lypin duhet të shkollohen që t’u krijohen mundësi të reja.

“Nuk është e mjaftueshme që të largohen nga rruga, ata duhet të shkollohen, prindërit duhet të trajnohen që të gjejnë punë shërbimet sociale, duhet t’i procedojnë ankesat e tyre dhe të koordinohen me institucionet tjera që të përmirësohet gjendja,” tha Schlumberger.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi deklaroi se abuzimi i fëmijëve po shihet vetëm si punë e policisë dhe nuk po përfshihet gjithë shoqëria që të ndihmohen ata.

“Në këtë mes rol të rëndësishëm kanë shkollat  në mënyrë që t’i bëjnë pjesë të procesit mësimor,” tha Minxhozi.

Mensur Hoti nga Ministria për Punë të Brendshme tha se kjo problematikë është shumë sfiduese për institucionet e  Kosovës.

“Ne i kemi identifikuar nevojat dhe dukuritë që janë duke u zhvilluar, jemi në fazën në të cilën duhet të ndërmarrim aktivitete për të bërë një plan të veprimit se si ne do të sillemi kundër kësaj problematike dhe krejt kjo varet nga angazhimi i institucioneve tona,” tha Hoti.

Ai deklaroi se infrastruktura ligjore është e mbuluar mirë nga institucionet e Kosovës, por që duhet të punohet në praktikë.

Në këtë konferencë u tha se fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugë janë të prirë për të qenë pre e grupeve kriminale.