SBAShK: Nxënës, Nesër Bojkotojini Dy Orët e Para!

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) u ka bërë thirrje sot nxënësve të shkollave që nesër t’i bojkotojnë dy orët e para të mësimit. Këtë veprim ata po e ndërmarrin si shenjë proteste për mos respektimin e plotë të kontratës kolektive të nënshkruar vitin e kaluar.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, mosveprimin e qeverisë karshi kërkesave të tyre e ka quajtur ‘injorancë’.

“Kjo injorancë e qeverisë që të ulet me neve dhe t’i gjejë këto mjete, na bën neve edhe më të fuqishëm”, tha Jasharaj.

Ai ka kërkuar nga anëtarësia që të jenë unik sikurse deri më tash dhe të kenë kujdes me grevën.

“Ftoj anëtarësinë që të jenë unikë sikurse deri më tash, që të kenë kujdes për grevën”, shtoi ai gjatë një konference për media.

Në këtë drejtim, Jasharaj u ka bërë thirrje nxënësve të shkollave që të mos shkojnë në shkollë në dy orët e para të mësimit.

“Apeloj te nxënësit që të mos shkojnë në shkollë në dy orët e para, ngase, në disa shkolla mësimdhënësit po gjendet në pozitë të keqe, sepse po duhet të kujdesen për nxënësit dhe po fitohet përshtypja se në ato shkolla ka pasur thyerje të grevës”, apeloi kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ai tha se Këshilli Drejtues mund të pasojë me veprime edhe më radikale. Jasharaj vlerëson se qasja e qeverisë ndaj këtij problemi e ka sjellë këtë situatë.

“Qeveria po t’i qasej në mënyrë të drejtë problemeve që nuk janë të mëdha, sidomos në arsim, e që janë të tejkalueshme, realizimi i kërkesave tona, që janë plotësisht legjitime, atëherë nuk do të vinte deri te problemet”, deklaroi ai.

Në të kundërtën, tha Jasharaj, jo vetëm nesër dhe më 30 janar, por do të vazhdojnë me përshkallëzimin e veprimeve të tyre.

Kreu i SBAShK-ut tha se kanë përkrahjen edhe të Komitetit Evropian të Sindikatës së Arsimit. Madje tha se përkrahja u ka ardhur atyre përmes një letre, të cilën e kanë pasur edhe Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, por të cilët tha se nuk e kanë bërë publike.

Për më tepër, SBAShK-u nesër organizon protestë nëpër shkolla fillore dhe të mesme, duke bojkotuar kështu dy orët e para të mësimit – për ndërrimin e paradites dhe të pasdites. Po ashtu, ata paralajmëruar se do të protestojnë edhe më 30 janar, nëse nuk ka ndonjë rezultat sa i përket nënshkrimit të kontratës kolektive.